Fermerja shpërthen: Për 15 vjet vajza ime u rrit, por bujqësia vetëm është përkeqësuar
Rritja e çmimit të naftës ka shtuar barrën mbi fermerët shqiptarë, duke goditur kostot e prodhimit në bujqësi dhe blegtori. Në një rrëfim të drejtpërdrejtë për “Ora News”, fermerja Rigerta Loku përshkruan një panoramë dekurajuese të sektorit, duke deklaruar se gjatë 15 viteve të fundit, situata për fermerët në zonat rurale të vendit vetëm sa është përkeqësuar.
Sipas saj, pavarësisht se kanë kaluar gati 15 vite që kur nisi aktivitetin, sfidat jo vetëm që nuk janë lehtësuar, por janë thelluar. “Mund të them me shumë bindje që vështirësitë nuk kanë ardhur duke u lehtësuar. Jeta e një fermeri në fshat, në zonat rurale të Shqipërisë, ka ardhur gjithmonë e më tepër në përkeqësim”, thekson ajo.
Fermerja argumenton se rrënja e problemit qëndron te fakti se fermeri nuk është vlerësuar dhe shpërblyer kurrë denjësisht për punën e tij.
“Fermeri nuk ka marrë asnjëherë hakun e punës, si në aspektin blegtoral ashtu dhe në atë bujqësor. Fermeri nuk kërkon lëmoshë. Ne nuk duam që të na hyjnë në hak”, shprehet ajo, duke nënvizuar se kërkesat e tyre për mbështetje institucionale kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër.
Duke përdorur një analogji personale dhe mjaft të fortë, ajo krahason rritjen dhe zhvillimin e vajzës së saj me ngecjen e sektorit ku punon.
“Kur e kam nisur këtë punë, vajza ime sapo kishte lindur. Sot ajo ka gati 15 vjeç. Ajo është evoluar, është rritur, ka ndryshuar. Për sa i përket terrenit në blegtori dhe në bujqësi, asgjë e mirë nuk ka ardhur”, pohon fermerja, duke ilustruar kështu mungesën totale të progresit.
Ndër të tjera ajo ka rikujtuar rëndësinë strategjike të sektorit të ushqimit, i cili sipas saj është lënë pas dore.
“Njerëzit hanë prej duarve tona. Të ushqyerit është sektori më strategjik. Nëse ne nuk ushqehemi si duhet, nuk arrijmë të bëjmë asgjë ashtu siç duhet”, theksoi Loku, duke shtuar se as buxheti për sektorin nuk është rritur dhe as kërkesat e fermerëve nuk janë marrë ndonjëherë në konsideratë.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME FERMEREN RIGERTA LOKU

