Rritja e çmimeve prek xhepat e shqiptarëve, Ibrahimaj premton masa mbrojtëse për shtresat në nevojë
Konsumatorët shqiptarë janë përballur javët e fundit me një rritje të ndjeshme të çmimeve, veçanërisht në kategorinë e frutave dhe perimeve.
Këtë të premte u mbajt mbledhja e radhës e Qeverisë shqiptare, ku ë përfundim të saj ministrat kanë komunikuar vendimet e miratuara para medieve.
Ministrja Delina Ibrahimaj theksoi se nisur nga situata që ka ngritur shqetësimin e qytetarëve, po e ndjekin situatën me vëmendje dhe po përgatisin mekanizma mbështetës.
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars shënoi 2.6%, një rritje e lehtë e nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i perimeve. Ibrahimaj tha se grupet e ekspertëve po monitorojnë në baza ditore një shportë prej 80 produktesh thelbësore në pikat kryesore të tregtimit në Tiranë dhe qarqe të tjera.
Nga ky monitorim, tha ministrja, është vërejtur se rritja është e përqendruar në kategorinë e frutave dhe perimeve, ndërsa çmimet e produkteve të tjera ushqimore kanë mbetur relativisht të qëndrueshme.
Si shkaktarë kryesorë të kësaj situate, Ibrahimaj renditi zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe konfliktet gjeopolitike, si ai në Lindjen e Mesme.
Këto ngjarje, ngjashëm me efektet e luftës në Ukrainë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e karburanteve dhe energjisë elektrike, të cilat janë elemente thelbësore që rrisin kostot e prodhimit vendas.
Përballë këtij shqetësimi, çështja e çmimeve është kthyer në prioritet për ekzekutivin dhe diskutohet rregullisht në mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
Nga ana e qeverisë garantohet se po hartohet një plan për të subvencionuar shtresat më të cënueshme, si pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, në mënyrë që të mos e ndjejnë barrën e plotë të këtyre rritjeve.
Ndërsa pranoi se faktorët e jashtëm, siç janë konfliktet ndërkombëtare, janë jashtë kontrollit të Shqipërisë, Ibrahimaj siguron se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar që ndikimi në ekonominë shqiptare dhe mirëqenien e qytetarëve të jetë minimal.
Delina Ibrahimaj: “Armëpushimi që kishte ndodhur një ditë më parë, u reflektua menjëherë në çmimin e bursës.
Ne ndërkohë që sigurisht në bazë ditore ne monitorojmë çmimet dhe çdo ditë me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë të karburanteve janë ato që në fakt reflektojnë zhvillimet më të fundit, ne i analizojmë dhe mblidhemi në bazë ditore për të përcaktuar çmimet.
Nga ana tjetër, sigurisht ditët e fundit, që nga mesi i muajit mars, ne kemi parë një rritje të çmimeve të të frutave dhe të perimeve, të cilat kanë ndikuar në shportën e përgjithshme të çmimeve. E vërteta është që në fakt inflacioni në muajin mars shënoi 2.6% me rritje të lehtë.
Megjithatë, kjo kategori, sidomos e perimeve, ka pasur një rritje. Ne që prej fillimit të të krizës, kemi monitoruar me bazë ditore çmimet në njësitë tregtare, qoftë të të frutave-perimeve, të cilët kanë reflektuar rritje, por edhe të gjithë produkteve të shportës. Janë 80 produkte të shportës, të cilët monitorohen me bazë ditore, në pika shitje në Tiranë, po edhe në në qarqe të tjera.
Dhe në fakt, reflektimi, rritja ka ndodhur në vetëm në këtë kategorinë e perimeve, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera të ushqimeve nuk kanë pasur një rritje gjatë kësaj periudhe si reflektim i çmimeve. Ne kemi filluar monitorimin duke qenë se nga eksperienca e e luftës së fundit, luftës së Ukrainës, ne pamë, gjithë bota, në gjithë botën u materializua një rritje e inflacionit, kryesisht të inflacionit të ushqimeve, pasi sigurisht që pjesë përbërje, përbërëse e kostos së prodhimit janë karburantet, është energjia elektrike, të cilat ë çojnë në rritje edhe të prodhimit të të produkteve të bazës së shportës.
Dua të garantoj publikun që ky është një shqetësim i cili monitorohet në mënyrë të vazhdueshme qoftë nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Ministria e Energjetikës, pra çështja e çmimeve dhe diskutohet në çdo mbledhje të Këshillit të Ministrave, pasi ne padyshim do të kujdesemi që të subvencionojmë të gjithë ato shtresa në nevojë, pensionistët apo shtresat në nevojë të cilët janë me të ardhura të ulëta dhe nuk mund të përballojnë një rritje të çmimeve, njësoj siç kemi bërë dhe në të kaluarën.
Lufta sigurisht është një luftë e cila nuk është në dorën e Shqipërisë për ta frenuar apo jo. Çmimet janë rritur si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, ne jemi këtu për të garantuar që pasojat e luftës do të kenë ndikim minimal në ekonominë shqiptare".
KOMUNIKIMI I PLOTË I MINISTRAVE ME MEDIAT

