Bimët mjekësore në kushte skandaloze, Shytaj: Ja çfarë fshihet pas ambalazheve

Rasti i publikuar së fundmi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për kushtet jo-higjienike në të cilat përpunoheshin bimë mjekësore nga një kompani e njohur në vend, ka ngjallur debat të gjerë publik.

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i shëndetit të bimëve, Arben Shytaj, ka analizuar situatën, në emisionin "Alert", në "Ora News", duke vlerësuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore.

Sipas ekspertit Shytaj, veprimi i AKU-së, i cili ndërmori një masë administrative ndaj subjektit në fjalë, është një hap për t'u përshëndetur. Ai theksoi se institucione të tilla rrallëherë janë marrë me sektorin e bimëve mjekësore që përdoren për trajtime brenda vendit. Ndërhyrja, sipas tij, tregon se të gjitha subjektet, pavarësisht prestigjit, duhet të zbatojnë rregullat dhe standardet e përcaktuara.

" Problemi i AKU-së është për t'u përshëndetur, problemi i Ylli Merjës, në rastin konkret që është inspektuar nga AKU-ja dhe është marrë masë administrative, është për t'u përshëndetur.

Janë bimët mjekësore medicinale për trajtimin që bëhet brenda vendit. Pak janë marrë këto institucione si AKU-ja apo edhe institucione të tjera që e kanë për detyrë.

Edhe në këtë rast, pavarësisht se Ylli Merja është njeri me një prestigj të lartë, po themi, edhe si kompani dhe si njeri, unë kam respekt për të, por veprimet e AKU-së janë për t'u përshëndetur sepse tregojnë që subjektet duhet të zbatojnë rregullat përkatëse.

Dhe aty ka çeduar ai subjekti dhe nga pamjet që pamë, edhe problemet e materialit të ambalazhit dukeshin qartë që kishte probleme.

Ambalazhi duhet të jetë cilësor, duhet të jetë dhe i certifikuar, i përshtatshëm për të mbajtur një ushqim", u shpreh Shytaj.