SHBA-Iran përballë vijave të kuqe/ Kondi: Kërkesat maksimale nga të dyja palët, po mbajnë peng marrëveshjen

Negociatat mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mbeten në qendër të vëmendjes, ndërsa palët kanë rënë dakord për një shtyrje afati dyjavore për të vijuar bisedimet drejt një marrëveshjeje.

Në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Sokol Kondi foli për situatën aktuale dhe pikat që mbajnë ende larg një dakordësi.

Sipas tij, në tryezë janë dy plane konkrete, një amerikan me 15 pika dhe një iranian me 10 pika, që tregojnë dallimet e mëdha mes palëve.

"Janë dy plane në tryezë. Një plan amerikan me 15 pika dhe një plan iranian me 10 pika. Këto tregojnë se ka ende distancë mes palëve."- tha ai.

Kërkesat e SHBA fokusohen te kufizimi i plotë i programit bërthamor dhe kontrolli i uraniumit të pasuruar, ndërsa Irani kërkon garanci sigurie dhe largimin e pranisë ushtarake amerikane nga rajoni, veçanërisht në Gjirin Persik.

Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet edhe kapaciteti raketor i Iranit, që konsiderohet nga Teherani si element mbrojtës.

"Irani nuk mund të heqë dorë nga kapacitetet raketore. Ato janë mjeti i vetëm mbrojtës për të shmangur një rrënim total."- u shpreh ai.

Sipas Kondit, kërkesat maksimale nga të dyja palët e bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje në një kohë të shkurtër.

Në këto kushte, rezultati i negociatave mbetet i hapur, ndërsa zhvillimet në ditët në vijim priten të jenë vendimtare për ecurinë e dialogut dhe stabilitetin në rajon.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: