Gaba: A*mëpushimi SHBA-Iran, paqe momentale apo paralajmërim për stuhinë e radhës?

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News ishte Gentian Gaba, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili analizoi situatën e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas shpalljes së armëpushimit të përkohshëm.

Armëpushimi ka ndaluar përplasjen e drejtpërdrejtë, por stabiliteti i tij mbetet tejet i diskutueshëm. Ndërsa palët ulen në tryezën e bisedimeve, e ardhmja e Lindjes së Mesme dhe tregjeve botërore varet nga një sërë faktorësh kompleksë, ku ndërthuren diplomacia, interesat ekonomike dhe kërcënimet ushtarake.

Gaba theksoi se roli i Pakistanit si ndërmjetës neutral ka qenë kyç, duke ofruar një “kartë besueshmërie” mes palëve. Ndërkohë, Kina ka ushtruar presion të butë mbi Iranin për të pranuar armëpushimin, duke mbrojtur interesat e veta strategjike për energjinë, veçanërisht lidhur me ngushticën e Hormuzit.

"Armëpushimi vjen pas periudhave të tensionuara, ku SHBA paralajmëroi se do ta kthente Iranin në “epokën e gurit”, ndërsa Teherani kërcënoi me destabilizim rajonal dhe pasoja të papërballueshme për ekonominë globale."

Jetëgjatësia e paqes momentale varet nga bisedimet e ardhshme. SHBA ka paraqitur një plan me 15 pika, ndërsa Irani një kundërpropozim me 10 pika. Pengesa kryesore mbetet programi bërthamor iranian dhe sasia prej rreth 460 kg uranium të pasuruar. Nëse Irani e konsideron këtë pikë të panegociueshme, rikthimi në përplasje është një mundësi reale.

Gaba theksoi gjithashtu se të dyja palët mund të kenë arsye për të respektuar armëpushimin: SHBA ka arritur objektivat ushtarake, duke degraduar kapacitetin e raketave dhe industrinë ushtarake iraniane, ndërsa regjimi iranian mund të konsiderojë mbijetesën e tij si një fitore strategjike. Kontrolli i Iranit mbi ngushticën e Hormuzit i jep atij një mjet presioni shumë më të fuqishëm se një armë bërthamore, me ndikim në sigurimin energjetik dhe ushqimor global.

Një zhvillim befasues do të ishte përfshirja e SHBA-së në rindërtimin e Iranit, një hap që do të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike të rajonit, i zhytur në armiqësi që nga viti 1979.

Aktualisht, konflikti ka kaluar nga faza ushtarake në atë diplomatike. Irani ka demonstruar reziliencë, ndërsa SHBA fuqinë e saj dërrmuese ushtarake.

E ardhmja do të tregojë nëse kjo paqe është e qëndrueshme apo thjesht një manovër strategjike në pritje të përplasjes së radhës.

Ndiqni intervistën e plotë: