NAFTA BIE, RRITEN TREGJET/ A*mëpushimi SHBA-Iran sjell reagim të menjëhershëm në tregje
Çmimet e naftës ranë ndjeshëm pas shpalljes së armëpushimit nga presidenti amerikan, Donald Trump me Iranin. Tregjet financiare reaguan pozitivisht, me rritje të fortë të aksioneve globale. Shpresa lidhet me rihapjen e Ngushticën e Hormuzit, e cila do të zbllokonte qarkullimin e lirë të anijeve me naftë dhe mallra.
Tregjet globale kanë reaguar menjëherë pas njoftimit për armëpushim mes SHBA dhe Iranit. Çmimet e naftës pësuan një rënie të fortë, me naftën amerikane që ra mbi 15%, duke zbritur nën 95 dollarë për fuçi.
Edhe nafta Brent, referenca globale e çmimit, shënoi rënie me mbi 13%, duke reflektuar pritshmëritë për ulje të tensioneve.
Ndërkohë, bursat reaguan pozitivisht. Futures e Dow Jones u rritën me mbi 1,000 pikë, ndërsa S&P 500 dhe Nasdaq shënuan rritje të ndjeshme.
Në Azi, indekset kryesore u ngjitën ndjeshëm, me Nikkei në Japoni dhe Kospi në Korenë e Jugut që regjistruan fitime të forta.
Ky reagim lidhet drejtpërdrejt me pritshmëritë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës globale.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se situata mbetet e paqartë. Ende nuk dihet nëse rruga detare do të hapet plotësisht dhe nëse armëpushimi do të sjellë një paqe afatgjatë.
Irani ka deklaruar se do të kontrollojë kalimin e anijeve dhe madje mund të vendosë tarifa për tranzitin. Një ide që shihet si e papranueshme nga SHBA dhe aleatët e saj.
Aktualisht, qindra anije cisternë mbeten të bllokuara në rajon, duke pritur zhvillimet e mëtejshme.
Pavarësisht rënies së çmimeve, tregjet mbeten të ndjeshme ndaj çdo ndryshimi në situatën gjeopolitike. Një sinjal pozitiv për ekonominë globale, por që varet nga stabiliteti i brishtë në rajon.
