YLLI QË SFIDOI MITET ! Dy ekspozita shënojnë 100-vjetorin e lindjes së Marilyn Monroe
Dy ekspozita dedikuar 100 vjetorit të saj të lindjes rikthejnë Marilyn Monroe si një figurë komplekse dhe pioniere në kinematografi. Ajo mbetet një ikonë që ndryshoi përgjithmonë rolin e grave në industrinë e filmit.
Pavarësisht se shpesh është reduktuar në një simbol bukurie apo figurë tragjike, Marilyn Monroe po rivlerësohet sot si një nga figurat më novatore të kinemasë. Dy ekspozita të mëdha në British Film Institute dhe National Portrait Gallery shënojnë 100-vjetorin e lindjes së saj, duke vendosur në qendër figurën e saj artistike.
Sezoni i veçantë në British Film Institute rikthen filmat e saj më të njohur, nga komeditë dhe muzikalet si Gentlemen Prefer Blondes dhe How to Marry a Millionaire, deri te rolet më dramatike si The Misfits.
Këto projekte synojnë të tregojnë një Monroe më të thellë dhe më komplekse sesa imazhi i saj publik.
Ndërkohë, ekspozita në National Portrait Gallery eksploron mënyrën se si ajo ndërtoi vetë identitetin e saj vizual dhe ndikimin që pati në kulturën moderne.
Përmes fotografive dhe veprave nga artistë të njohur si Andy Warhol, publiku sheh një Monroe që jo vetëm performonte, por kontrollonte aktivisht mënyrën se si paraqitej.
E lindur si Norma Jeane në vitin 1926, ajo u bë një nga figurat më të fotografuara dhe më të njohura në botë.
Por përtej famës, ajo sfidoi sistemin e studiove të Hollivudit, kërkoi role më cilësore dhe madje themeloi kompaninë e saj të prodhimit një hap i rrallë për një grua në atë kohë.
Ekspertët theksojnë se ndikimi i saj shkon përtej ekranit, ajo ndryshoi mënyrën se si gratë mund të ndërtonin karrierën dhe imazhin e tyre në industrinë e filmit.
Krahasime bëhen me figura moderne si Taylor Sëift dhe Madonna, që kanë ndjekur një rrugë të ngjashme të rishpikjes artistike.

