EMRI/ Mbipopullim, mungesë stafi dhe çmime të larta, shqiptari denoncon kushtet në burgun grek

Një i dënuar shqiptar në Burgun e Nigritës në Greqi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me kushtet e jetesës brenda institucionit.

Në një prononcim për median greke Zougla, Simos Prelas, i njohur edhe si Sajmir Zefi, ka përshkruar një situatë të rëndë që, sipas tij, cenon dinjitetin dhe mirëqenien e të burgosurve.

Ai thekson se qelitë, të projektuara për tre persona, aktualisht strehojnë deri në dyfishin e kapacitetit, duke krijuar kushte të papërshtatshme dhe të vështira për jetesë.

Sipas tij, mbipopullimi shoqërohet edhe me mungesë të theksuar shërbimesh, si pasojë e kufizimeve buxhetore, çka ndikon negativisht në funksionimin e shërbimeve sociale për të burgosurit.

Gjithashtu, Zefi ka ngritur shqetësimin për çmimet e larta dhe cilësinë e produkteve në dyqanin brenda burgut, duke pretenduar se artikujt e importuar janë të shtrenjtë, duke i bërë të paarritshëm për shumicën e të burgosurve.

Sipas deklaratave të tij, institucioni aktualisht strehon rreth 1,000 persona, rreth dy herë më shumë se kapaciteti i parashikuar, ndërsa numri i stafit mbetet i kufizuar, me vetëm 35 oficerë në dispozicion.