"Mosmarrëveshja Kurti-Abdixhiku, e pritshme"/ Gjocaj: 'Surprizat' politike tashmë humbën kuptimin, s'ka shenja konsensusi
Në një lidhje direkte për Ora News, në hapësirën “Për shqiptarët”, ishte politologu Astrit Gjocaj, për të diskutuar situatën politike në Kosovë pas mosmarrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Gjocaj shpjegoi se mungesa e një marrëveshjeje ishte e pritshme dhe nuk duhet parë si surprizë.
Sipas tij, çdo mundësi për zgjidhje të papritur kishte kaluar më herët, para se çështja të arrinte në Gjykatën Kushtetuese dhe përpara se të thellohej përçarja politike.
Ai vuri në dukje se ftohja e marrëdhënieve mes Kurtit dhe Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, ka ndikuar drejtpërdrejt në mosarritjen e një konsensusi.
“Po, me thënë të drejtën, për mua ka qenë e pritshme. Surprizat do të duheshin të ndodhnin shumë më herët. Përçarja mes Kurtit dhe Osmanit e ka bërë situatën të pamundur për një marrëveshje tani.”-tha ai.
Gjocaj shtoi se takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut u pa më shumë si një formalitet politik.
Ai përmendi edhe konsultën jozyrtare mes Abdixhikut dhe Osmanit para takimit, që sipas tij tregonte se pozicionet ishin të paracaktuara.
“Në një vend normal, marrëveshjet do të duhej të kishin ndodhur shumë më herët. Tani, me Kuvendin jo funksional dhe afatet kushtetuese në limit, shanset për një zgjidhje politike janë minimale.”- shtoi Gjocaj.
Sipas tij, situata e krijuar tregon se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa perspektiva për një marrëveshje mes partive mbetet e largët.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

