"Protesta, 'shuplakë' simbolike për qeverinë Mickoski"/ Adili: Studentët nuk e durojnë më 'ping-pongun' e premtimeve

Në një lidhje direkte për Ora News në hapësirën “Për shqiptarët”, pedagogu Bekim Adili foli për protestën e fundit të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe tensionet politike që ajo nxori në pah.

Ai u shpreh se protesta funksionoi si një shuplakë simbolike për qeverinë Mickoski dhe për koalicionin VLEN, duke nxjerrë në pah mungesën e përgjegjësisë dhe fragmentarizimin e politikës shqiptare.

“Mendoj se më së shumti kjo protestë ishte e drejtuar kundër qeverisë Mickoski. Një shuplakë simbolike për subjektet politike shqiptare që janë në pushtet.”- tha ai. 

Adili theksoi se kryeministri po shfrytëzon këtë fragmentarizim për të përfituar politikisht dhe për të nxjerrë çështjet shqiptare si shkak të destabilitetit, ndërkohë që problemet e vërteta lidhen me politikën nacionaliste të VMRO-DPMNE-së dhe mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Studentët kanë paralajmëruar disa herë, kanë zhvilluar takime me instanca shtetërore dhe partiake, por premtimet janë zvarritur. Sot ka pasur një lojë ping-pong me përgjegjësitë që nuk zgjidhin asgjë.”- shtoi ai.

Pedagogu përfundoi duke theksuar se protesta është një thirrje për reflektim dhe unifikim të faktorit shqiptar në qeveri, duke shmangur lojërat politike që dëmtojnë rininë dhe besimin në institucionet shtetërore.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: