VIDEO/ “Ligji në letër, diskriminim në praktikë” - Protestë për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, studentët mbushin sheshin e Shkupit

Studentët shqiptarë janë mbledhur sot në Shkup për një protestë madhështore në mbrojtje të gjuhës shqipe, e cila pritet të fillojë në çdo moment. Atmosfera është elektrizuese, ndërsa studentët kanë dalë me pankarta dhe mesazhe të forta.

Në mesin e pankartave që po shihen në protestë janë edhe mesazhet: “Mos e mohoni një të drejtë të fituar”, “Ligji për gjuhët është Lex Specialis!” si dhe shumë pankarta të tjera në mbrojtje të të drejtave gjuhësore.

Protesta e sotme konsiderohet si një nga reagimet më të mëdha studentore në periudhën e fundit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për protestë paqësore dhe dinjitoze.

VIDEO/ “Ligji në letër, diskriminim në praktikë”

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur protestën e nxitur nga fakti që nuk u lejohet ta mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, pra shqipen.

Studentët kanë vendosur pankarta në qendër të Shkupit, me mbishkrime për të drejtat e tyre.

“Ligji në letër, diskriminim në praktikë”, shkruhet në një njërën prej pankartave, teksa një numër i madh studentësh por edhe qytetarësh ishin të pranishëm në protestë.

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut u ndalën para Ministrisë së Drejtësisë ku kanë bërë thirrje që të lejohet të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, sikurse ligji e parashikon.

Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse gjuha shqipe ka ligjërisht status zyrtar.

Argumenti i studentëve është se kjo situatë krijon një pengesë për ta dhe shumë pabarazi, pasi kufizon mundësitë e tyre profesionale dhe ndikon drejtpërdrejtë në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit fqinj.

Kërkesat e tyre janë që provimi të zhvillohet plotësisht në shqip, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe zbatim real të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj. 

Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kane bërë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe akterëve shoqërorë që të mbështesin protestën paqësore të studentëve në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit.

Përmes një komunikate publike, ata u janë drejtuar mediave, shoqërisë civile dhe aktivistëve, duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje për kauzën e tyre.

Studentët theksojnë se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

VIDEO/ “Ligji në letër, diskriminim në praktikë”

Kjo çështje ka tërhequr vëmendje të shtuar së fundmi, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre universitetet përkatëse kanë firmosur një peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore