Nga lidhja me Suel Çelën, te atentati me tritol ndaj Lulzim Kullës, Berisha numëron krimet e Taulant Ballës: Kush është prokurori që e ndihmoi?

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të shtunë një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.

Berisha ka lëshuar një sërë akuzash të rënda ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe vepra të rënda penale.

Sipas Berishës, Taulant Balla ka pasur një marrëveshje me kartelin e Suel Çelës në Elbasan. Kjo marrëveshje, sipas tij, konsistonte në arrestimin e bandave rivale në këmbim të sigurimit të qindra mijëra votave për Partinë Socialiste. Berisha deklaroi se ky pakt është zbatuar, ku bandat rivale u arrestuan ndërsa karteli i drogës i siguroi votat e premtuara.

Një tjetër akuzë e fortë lidhet me lirimin e dy personave nga burgu, të cilësuar si "terroristë". Berisha pretendoi se Balla, i dërguar nga karteli i Elbasanit, ndërhyri për të liruar dy individë që kishin vendosur tritol në biçikletën e Lulzim Kullës. Sipas tij, kjo u bë me ndihmën e një prokurori, Vath Staka, i cili sot mban një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Akuzat nuk ndalen me kaq. Berisha e cilësoi Ballën si autorin e krimit të "Toyota Yaris", duke theksuar se ndonëse u akuzua se priste 5 milionë euro, në fakt ai ishte i regjistruar duke bërë gjithçka për të liruar jo vetëm paratë, por edhe makinat që i përkisnin kartelit Çela. Gjithashtu, u përmend një rast ku Balla dyshohet se ka urdhëruar vendosjen e një revoleje pranë një banese të një familjeje "jo socialiste" me qëllim arrestimin e tyre.

Berisha deklaroi se dosja e krimeve të Ballës është aq e rëndë sa vetëm ajo e kryeministrit Edi Rama mund ta kalojë, duke shtuar se Balla gëzon një lloj imuniteti, ngjashëm me zyrtarë të tjerë të lartë.

“Taulant Balla është personi i cili ka bërë marrëveshje me kartelin e Suel Çelës për të arrestuar bandat rivale në Elbasan, në mënyrë që ato t'i sigurojnë qindra mijëra vota dhe ato dhe kjo marrëveshje është zbatuar. Bandat rivale u arrestuan dhe karteli i drogës i Suel Çelës i siguroi Taulanit, Taulant Ballës qindra mijëra vota.

Taulant Balla është personi i cili u dërgua nga Suel Çela, nga karteli i Elbasanit, për të liruar nga burgu dy terroristë që kishin vendosur tritol në shalën e biçikletës së Lulzim Kullës, për ta hedhur atë në erë dhe tritoli ra nga shala dhe shpërtheu në rrugë, që të dy u liruan me udhëtimin që bëri Taulant Balla me Vath Stakën, prokuror sot është, është në KLGJ apo se ku është, dhe nuk ka asnjë masë. Taulant Balla ekziston i akuzuar në porosi që ka dhënë për të, për të vendosur revolen në, në, në rrethimin e oborrit të një familjeje që ky i konsideronte jo socialist në mënyrë që ata të arrestohen. Balla është autor i krimit të Toyota Yaris, ku ai u akuzua se priste 5 milionë euro, por në fakt ai u mor, është i regjistruar kur ishte ministër se do bënte, dhe bëri gjithçka për të liruar jo paratë, por edhe makinat që i përkisnin kartelit Çela. Pra, në qoftë se ka një zyrtar me dosje krimi më të rënda sesa Taulant Balla, ai është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër. Natyrisht, ne këto i kemi bërë, ne këto i kemi bërë publike para opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Por ai ka imunitet, siç ka Lubi Balluku, siç ka Edi Rama. Lidhjet e tij me krimin janë një lloj imuniteti. Ne do paraqesim sigurisht komision hetimor, por 80, 93 mandate të krimit përdoren kundër, 83 mandate të krimit përdoren kundër tij”, deklaroi kryedemokrati Berisha.

I pyetur në lidhje me situatën ekonomike, ish-kryeministri u shpreh se vendi po përjeton krizën më të rëndë në historinë e tij, e cila dëshmohet më së miri nga largimi masiv i shqiptarëve.

Sipas tij, prodhimi bujqësor dhe ai industrial ndodhen në recesion. Ai hodhi dyshime të forta edhe mbi shifrat e investimeve të huaja, duke pretenduar se mbi 50% e tyre janë ri-investime të kompanive që operojnë në vend, pra para shqiptare, ndërsa nga pjesa e mbetur, 32% janë para të ardhura nga trafiku i drogës që investohen në sektorin e ndërtimit.

“E vërteta është që vendi përjeton krizën më të rëndë në historinë e saj, po të marrim parasysh largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Kurse, ekonomia, sot, kontribuon, ose është minorancë në atë që quhet rritje ekonomike të vendit. Prodhimi bujqësor është në recesion, është në krizë pra. Prodhimi industrial është në krizë. Por dhe në rast se marrim investimet e huaja, të cilat Edi Rama i deklaron 1 miliard e 600 milionë, në fakt, në analizën që mund t'u bëhet, kokoshi katandiset në thelë. Pse kjo? Sepse këta, gjysma e këtyre, mbi 50% e këtyre, janë investime të kompanive të huaja që i bëjnë në Shqipëri. Pra është para shqiptare dhe jo para që vjen nga jashtë. Së pari. Por nga këto 50% të tjera që mbeten, 32% janë para droge që investohen në ndërtime”, u shpreh Berisha.