Qeveria 'hap thesin', pagesë 100 € për hektar/ Eksperti tregon skemën e re për fermerët, ja përfitimet
Në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i Ministrisë së Bujqësisë, Irfan Tarelli, ka dhënë detaje për skemën e re të mbështetjes për fermerët, e cila parashikon pagesë direkte për sipërfaqen e tokës së kultivuar.
Ai shpjegoi se bëhet fjalë për një masë të re që hyn për herë të parë në skemën kombëtare dhe synon të ndihmojë fermerët në përballimin e kostove.
“Vlera prej 10 mijë lekësh për hektar, ose 100 euro, është një masë e futur për herë të parë dhe synon të ofrojë një pagesë të njëjtë për të gjithë fermerët që kultivojnë tokën. Qëllimi është mbështetja e të ardhurave dhe ulja e kostove të prodhimit.”- tha Tarelli.
Sipas tij, përfitues do të jenë kryesisht fermerët e mesëm dhe të mëdhenj, pasi është vendosur një kufi minimal për sipërfaqen e mbjellë.
“Është vendosur si kusht minimal sipërfaqja prej tre hektarësh. Kjo do të thotë që skema mbulon fermerët e mesëm dhe të mëdhenj.”- shtoi eksperti.
Tarelli sqaroi edhe mënyrën e aplikimit, duke theksuar se procedura do të mbetet e njëjtë si në vitet e mëparshme, me aplikim online dhe dokumentacion minimal.
“Fermeri duhet të ketë një NIPT aktiv dhe dokumentacionin e tokës. Nuk kërkohet asnjë dokument tjetër. Aplikimi bëhet online dhe më pas dokumentet shqyrtohen, ndërsa për një pjesë bëhet edhe verifikim në terren.”- u shpreh ai.
Procesi do të menaxhohet nga AZHBR në bashkëpunim me strukturat rajonale, ndërsa pagesat do të kalojnë në llogaritë e fermerëve pas përfundimit të verifikimeve.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

