DOKUMENTET/ Adnand Mahmuti dhe Shoqëria TIBO të pafajshëm
Pas një procesi hetimor të zgjatur mbi dy vite, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka arritur në përfundimin se ndaj Adnand Mahmutit dhe shoqërisë “Tibo” nuk ekzistojnë elementë të veprave penale të pretenduara.
Në dokumentin zyrtar të Prokurorisë, me nr. procedimi penal 6170, viti 2023, i dërguar në formën e “Njoftimit për përfundimin e hetimeve”, konfirmohet përfundimi i këtij procesi dhe drejtimi i çështjes për pushim pranë gjykatës.

Në përfundim të hetimeve, Prokurori i çështjes, me miratim të Drejtuesit të Prokurorisë, i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushimin e procedimit penal.
Ky vendim vjen pasi nga analiza e plotë e provave, dokumentacionit dhe veprimeve hetimore nuk u provua që Adnand Mahmuti të ketë kryer veprat penale të “mashtrimit”, “fshehjes së të ardhurave” apo “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Sipas përfundimeve të hetimit, aktiviteti i ushtruar nga Mahmuti dhe subjektet e lidhura me të ka qenë në kuadër të marrëdhënieve kontraktuale dhe bashkëpunimeve tregtare ekzistuese, pa u evidentuar asnjë element penal.

Në këto kushte, Prokuroria ka konkluduar se mungojnë elementët e veprave penale dhe ka kërkuar pushimin e çështjes, duke çliruar përfundimisht Adnand Mahmutin dhe shoqërinë “Tibo” nga të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre.
Ky vendim përforcon përfundimisht pafajësinë e tyre, duke mbyllur një proces hetimor të gjatë dhe duke rikthyer qartësinë ligjore mbi aktivitetin e tyre./ Marrë nga CNA

