Ambasada amerikane jep alarm për s*lme nga grupet e lidhura me Iranin, qeveria shqiptare: Nuk ka asnjë informacion shqetësues. I presim qytetarët amerikanë...
Ambasada amerikane paralajmëron për rrezik të mundshëm në Shqipëri nga grupe të lidhura me Iranin. Autoritetet shqiptare thonë se nuk ka informacion konkret për kërcënim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një paralajmërim sigurie, ku thekson se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objekte apo individë të lidhur me SHBA-në në Shqipëri. Në njoftim përmendet se në shënjestër mund të jenë edhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në territorin shqiptar, si dhe ambiente publike si qendra tregtare, hotele, restorante, klube dhe zona turistike.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë vigjilencë të shtuar, duke marrë masa paraprake për sigurinë personale në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm. Paralajmërimi vjen në një fazë të re përshkallëzimi të konfliktit në rajon, ku janë shtuar shqetësimet për sulme të mundshme edhe jashtë zonës së luftës.
Në të njëjtën kohë, Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar ndaj këtij njoftimi, duke theksuar se autoritetet shqiptare nuk kanë asnjë informacion konkret që të mbështesë një kërcënim të tillë. Sipas saj, paralajmërime të ngjashme janë bërë edhe më parë nga Ambasada amerikane në situata të ndryshme.
Institucioni shqiptar u bën thirrje qytetarëve amerikanë dhe vizitorëve të mos shqetësohen, duke theksuar se Shqipëria mbetet një vend i sigurt dhe një destinacion turistik i rëndësishëm, me mikpritje dhe oferta të shumta për vizitorët.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit në rajon përfshijnë edhe incidente pranë hapësirës europiane, ku një raketë iraniane është raportuar se është interceptuar pranë Qipros nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s.
Situata mbetet në monitorim, ndërsa institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë vijojnë të ndjekin nga afër çdo zhvillim që lidhet me sigurinë në rajon dhe më gjerë.
