ASGJËSIM K*NABISI NË MALËSI TË MADHE/ Përfundojnë në pranga tre familjarët, një person shpallet në kërkim

Tre familjarë në Malësi të Madhe janë arrestuar nga Policia pasi u kapën duke kultivuar bimë narkotike, kanabis. Një person tjetër është shpallur në kërkim.

Operacioni, i koduar “Faza e parë”, u zhvillua në fshatrat Bajzë dhe Gruemirë Çezmë, ku u gjetën dhe u asgjësuan disa platforma polistiroli me filiza të dyshuar kanabisi.

Një pjesë e filizave u sekuestrua si provë materiale.

Shtetasit e arrestuar janë E. Q., 29 vjeç, B. Q., 23 vjeçe dhe A. Q., 26 vjeçe, të tre banues në fshatin Bajzë. Ndërkohë, për rastin ka nisur procedimi penal edhe ndaj dy personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e shtetasit B. R., 52 vjeç, banues në Gruemirë Çezmë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme. Policia vijon hetimet për të identifikuar dhe ndëshkuar të gjithë të përfshirët.