Nga Kushtetuesja në Bankën e Shqipërisë, Holta Zaçaj emërohet Zëvëndës Guvernatore
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj u emërua sot në funksionin e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë.
Ky emërim u vendos në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në mbështetje të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Gent Sejko.
“Në mbështetje të nenit 44 të ligjit 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi dhe emëroi zj. Holta Zaçaj në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë”, njofton Banka e Shqipërisë.
Holta Zaçaj në fund të vitit të kaluar mbylli mandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në të shkuarën ka qenë pedagoge, avokat dhe drejtuese e departamentit Ligjor në një bankë.
Në shkurt të këtij viti Zaçaj nisi punën si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
