Ambasadorja Mimoza Halimi flet për zbulimin në Poloni që solli në Shqipëri thesarin e fshehur të viteve ’60-të

Një koleksion i rrallë fotografish, që dokumenton jetën e përditshme në Shqipërinë e izoluar të viteve '60, është bërë i mundur për publikun shqiptar falë një sërë rastësish dhe një nisme të ambasadores së Shqipërisë në Poloni, Mimoza Halimi.

Ekspozita e fotografes me famë botërore, Zofia Rydet, vjen si rezultat i një zbulimi të bërë gjatë një aktiviteti kulturor në Poloni.

Në një lidhje online në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, ambasadorja Mimoza Halimi zbuloi se gjithçka nisi gjatë një takimi të komunitetit shqiptar dhe polak në kuadër të aktivitetit “Pranvera e integruar shqiptare”.

Ishte kryetarja e shoqatës Poloni-Shqipëri, Dorota Horodyska, e cila gjatë një prezantimi përmendi punën e fotografes së talentuar Zofia Rydet dhe faktin se në arkivin e saj gjendeshin fotografi të shkrepura në Shqipëri gjatë viteve '60.

Ky informacion ngjalli menjëherë interesin e ambasadores Halimi, e cila vendosi të udhëtonte drejt Krakovës për të vizituar Fondacionin “Zofia Rydet”.

Atje, ajo u takua me zëvendëspresidenten e fondacionit, e cila ishte gjithashtu mbesa e fotografes, dhe pati mundësinë të shihte nga afër arkivin e paçmuar.

 Përballë saj u shfaqën albume me negativët e fotografive të realizuara në Shqipëri, një dritare e pashoqe drejt një periudhe të mbyllur të historisë shqiptare.

Koleksioni përfshin imazhe të jetës së përditshme, portrete familjare dhe peizazhe nga Shqipëria e asaj kohe, duke ofruar një dëshmi unike vizuale. Sipas ambasadores Halimi, fotografitë kanë një vlerë të dyfishtë: historike, sepse pasqyrojnë një realitet të panjohur për botën, dhe artistike, për shkak të stilit humanist të Rydet, e cila i portretizonte subjektet e saj me dinjitet dhe autenticitet.

Pas këtij zbulimi emocionues, ambasadorja Halimi kontaktoi Ministrinë e Jashtme dhe drejtorin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë "Marubi", Luçian Bedeni, duke i propozuar sjelljen e këtij thesari fotografik në Shqipëri.

Bashkëpunimi mes institucioneve bëri të mundur që kjo ekspozitë të hapej, duke i dhënë publikut mundësinë të njohë një pjesë të historisë së vet përmes syrit të një artisteje të madhe ndërkombëtare.

RRËFIMI I AMBASADORES HALIMI

Në fakt këtu në Poloni neve organizojmë çdo vit një aktivitet të veçantë, të cilin e quajmë “Pranvera e Integruar Shqiptare”.

Është një aktivitet ku komuniteti shqiptar mblidhet me komunitetin, bashkohet me komunitetin polak dhe përgjatë një dite në fundjavë, ne realizojmë aktivitete të ndryshme, bisedojmë, bëjmë prezantime të ndryshme.

Dhe ishte pikërisht në këtë takim, vitin e kaluar, ku kryetarja e shoqatës Poloni-Shqipëri, zonja Dorota Horodyska, një përkthyese e talentuar e gjuhës shqipe, por dhe një admiruese e Shqipërisë, prezantoi aktivitetin e fotografes së talentuar polake me famë botërore, Zofia Rydet.

Dhe ajo përmendi se në arkivën e saj zonja Rydet kishte dhe fotografi të shkrepura në Shqipëri në vitet ’60-të. Sigurisht kjo ishte një lajm shumë interesant dhe më ngjalli mua shumë interes dhe vendosa që të shkoj në Krakovë për të vizituar fondacionin e Zofia Rydet.

Shkova atje dhe u takova me zëvendëspresidenten e fondacionit, që ishte njëkohësisht edhe mbesa e fotografes së talentuar dhe aty pata mundësinë që të shoh e të njihem me arkivin e fotografes dhe zëvendëspresidentja njëkohësisht më njohu dhe me albumet, me negativët e fotografive që Zofia Rydet kishte realizuar në Shqipëri.

Për mua ishte një eksperiencë shumë mbresëlënëse, shumë emocionuese, sepse aty pashë një koleksion fotografish që dokumentonin jetën e përditshme të njerëzve në atë kohë, në familje, peizazhet e bukura të vendit në atë periudhë kur Shqipëria ishte e izoluar.

Dhe këto fotografi vërtet kishin një vlerë shumë dimensionale. Ato kishin një vlerë historike, sepse tregonin për jetën në vendin tonë në atë periudhë, por kishin edhe një vlerë artistike, stilistike sepse Zofia Rydet, ë e njohur për stilin e saj humanist, i portretizonte këta njerëz me dinjitet dhe autenticitet.

Dhe pas kësaj vizite sigurisht komunikova me Ministrinë e Jashtme, u lidha me drejtorin e Muzeut “Marubi” në Shkodër, zotin Luçian Bedeni dhe e pyeta: Zoti Drejtor, kam, kam hasur në një material shumë të veçantë. Bëhet fjalë për një fotografe të talentuar, të mirënjohur polake dhe e veçanta për mua është që ajo ka realizuar shumë fotografi në Shqipëri. A keni dëgjuar për të?