Nxënësit shqiptarë shkëlqejnë në Festivalin e Shkencës, finalja më 25 prill në Tiranë

Festivali Kombëtar i Shkencës që po zhvillohet në gjimnazet e vendit, është një nismë ku nxënësit prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

Kryeministri Edi Rama, në një postim sot në rrjetet sociale, ndau momente nga atmosfera e përgatitjes së këtij festivali, ku pohoi se “faza gjysmëfinale në 5 rajone të Shqipërisë solli projekte mbresëlënëse nga nxënësit”.

Rama tha se projektet e gjimnazistëve vijnë nga fusha si inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria duke zbuluar një potencial të pashtershëm dhe një pasion të vërtetë për shkencën në këtë edicion të parë.

Kryeministri Rama nënvizoi se tashmë 25 grupe gjimnazistësh bëhen gati për finalen e madhe të 25 prillit në Tiranë.

Ky festival, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka për qëllim që shkollat e mesme të shndërrohen në qendra të krijimtarisë dhe inovacionit, duke ofruar mundësi për nxënësit të demonstrojnë aftësitë e tyre përmes projekteve praktike dhe hulumtimeve të pavarura.

Festivali Kombëtar i Shkencës synon të rrisë interesin e të rinjve për shkencën dhe teknologjinë, si dhe të forcojë lidhjet ndërmjet arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.

Pjesëmarrësit kanë mundësinë të ndajnë idetë dhe produktet shkencore, duke treguar aftësinë e tyre për të zbatuar njohuritë në mënyrë krijuese dhe bashkëpunuese.