KONCESIONET PUBLIKE/ Gazetarja tregon se si mund të kthehet një vendim për koncesionet në një faturë të kripur për buxhetin

Në emisionin “Ora e Betit”, e ftuar ishte gazetarja Mirilda Tili, e cila foli mbi situatën e koncesioneve në sektorët më të rëndësishëm publikë, si shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja.

Ajo shpjegoi se financimi për këto sektorë është i ulët, me shëndetësinë që merr vetëm 2.8% të buxhetit, arsimin 2.5% dhe mbrojtjen ende pa arritur objektivin 3%.

Koncesionet e nënshkruara më parë paraqesin rreziqe financiare dhe ligjore për shtetin.

"Në rast se vendoset ndërprerja e një koncesioni në mënyrë të njëanshme, pala private mund ta çojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar. Kjo nuk do të zgjidhte problemin fillestar, por do të sillte një gjobë të madhe për buxhetin e shtetit."- u shpreh Tili.

Gazetarja shpjegoi se skenari më i frikshëm është humbja e çështjes në arbitrazh, që mund të rëndonte ndjeshëm arkën e shtetit. Për këtë arsye, çdo rishikim i kontratave duhet të bëhet me kujdes dhe pa hapur rrugë për pasoja financiare.

"Çështja kryesore mbetet gjetja e një mënyre për të rishikuar kontratat pa ekspozuar vendin ndaj faturave të kripura të arbitrazhit. Ky është një proces delikat që kërkon strategji dhe transparencë maksimale."- shtoi ajo.

Diskutimi në emision nxori në pah dilemat e qeverisë shqiptare dhe rreziqet që lidhen me menaxhimin e koncesioneve në sektorët jetikë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":