“Spitali si hotel, pa analiza laboratorike”/ Qiraxhi: Fondet nuk arrijnë për diagnostikimin e pacientëve

I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, aktivisti Migen Qiraxhi denoncoi situatën alarmante në sistemin shëndetësor shqiptar.

Ai theksoi se spitalet në vend përballen me mungesa kronike fondesh dhe shpesh mbarojnë paratë për analiza laboratorike rreth datës 20 të çdo muaji.

“Ka raste kur fondet për analiza mbarojnë edhe më herët se data 20. Një spital pa analiza mund ta konsiderosh praktikisht si hotel, ku mund të të shtrijnë, por nuk ka se çfarë të të kuron.”-u shpreh Qiraxhi.

Qiraxhi shtoi se kjo situatë detyron mjekët të vendosin diagnoza pa të dhëna laboratorike, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve.

Ai përmendi edhe kontradiktën e dukshme mes propagandës qeveritare dhe realitetit në terren, ku investimet i kushtohen më shumë pamjes dhe shërbimeve dytësore, sesa bazës së mjekësisë.

“Vetëm disa muaj më parë u fol për vepra arti dhe shërbime hotelerie në spitale. Çfarë i duhet një pacienti shërbim i tillë kur nuk kryhet baza e mjekësisë, analiza për të kuptuar gjendjen e tij?”-shtoi aktivisti.

Ai përfundoi duke shprehur shqetësimin për financimin e ulët të shëndetësisë, vetëm 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe nevojën urgjente për një menaxhim më të mirë të fondeve për të garantuar shërbimin më të rëndësishëm për qytetarët.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":