Zhvillohet kampionati kombëtar i padelit, shpallen fituesit sipas kategorive

Kampionati kombëtar i padelit, ndër aktivitetet më të rëndësishme sportive të zhvilluara së fundmi në vend, u përmbyll sot duke konfirmuar rritjen e shpejtë të këtij sporti në Shqipëri.

Gjatë tri ditëve të garës intensive, rreth 120 sportistë nga i gjithë vendi konkurruan në disa kategori, duke demonstruar nivel të lartë teknik, përkushtim dhe frymë sportive.

Kampionati u organizua nga Federata Shqiptare e Padelit, me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, në kuadër të përpjekjeve për promovimin e sporteve të reja dhe zgjerimin e bazës sportive në vend.

Në kategorinë e parë për meshkuj, vendin e parë e fituan Alensio Serjani dhe Fjoralb Curri, ndërsa në vend të dytë u renditën Martin Muedini dhe Serxho Muzhaqi.

Në kategorinë e parë për femra, kampione u shpallën Rea Qinami dhe Elonia Gjata, të ndjekura nga Albana Meta dhe Ida Goxha.

Në kategorinë e dytë për meshkuj, fitues dolën Ardi Baku dhe Bledian Ismaili, ndërsa vendi i dytë iu takoi Leonard Progni dhe Erald Hoxha.

Në kategorinë e tretë për meshkuj, Rei Radheshi dhe Flori Rama siguruan vendin e parë, ndërsa Devi Metaj dhe Tedi Mara u renditën të dytët.

Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve sportive në vend, ndër të cilët Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, presidenti i Federatës së Pingpongut, Krenar Dila, si dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Padelit, përfshirë presidentin Erjon Këri dhe sekretarin e përgjithshëm, Ersild Vladi.

Një moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe prania e sportistit olimpik Indrit Çullhaj, në kuadër të nismave për promovimin e vlerave olimpike dhe frymëzimin e të rinjve për t’u përfshirë në sport.

Ky kampionat përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e padelit si një sport gjithnjë e më i preferuar në Shqipëri, duke reflektuar rritjen e interesit nga komuniteti sportiv dhe nivelin në rritje të garuesve.