”Corriere dello sport”: Kosova kjo përrallë ballkanike
Një tjetër përrallë ballkanike si një përzierje rrënjësh, largimesh, kthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë nëpër Evropë, shkruan sot gazeta italiane ”Corriere dello sport”.
Kosova ëndërron Botërorin e saj të parë dhe sot ajo Amerikë nuk duket më aq e largët.
Fitorja dramatike në Sllovaki, 4-3, që i dha edhe më shumë peshë ambicieve, ka ndezur përfundimisht entuziazmin e një kombëtareje të re si shtet, por tashmë e pasur me histori, identitet dhe ndjenjë përkatësie.
Nga 23 lojtarët e grumbulluar, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në atdhe.
Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga fëmijët e diasporës dhe emigracionit që janë rritur larg, por kanë mbetur të lidhur me një fanellë që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli.
Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar.
Dhe ndoshta pikërisht ky është forca e saj.
Edhe trajneri Franco Foda është një figurë që e përshkruan mirë këtë ide të identitetit të përzier.
I lindur në Gjermani, me origjinë italiane nga ana e babait, ai gjithmonë ka pasur brenda vetes më shumë botë. Si lojtar dhe më pas si trajner, në Kosovë ka gjetur diçka ndryshe: një skuadër për t’u formuar jo vetëm taktikisht, por edhe emocionalisht.
Ka qenë trajner i Austrisë në Euro 2020, por që nga viti 2024 është në krye të një grupi ku bashkëjetojnë thekse, rrugëtime dhe shkolla të ndryshme futbolli, të bashkuara nga e njëjta uri për sukses.
Zemra teknike e skuadrës rreh sidomos në sulm dhe në mesfushën ofensive.
Ish-lojtari i Lazios, ”pirati” Muriqi, mbetet pika kryesore në sulm dhe fytyra më e njohur e grupit.
Krahas tij është talenti i pastër Zhegrova, i lindur në Gjermani, por i rritur edhe në Kosovë, një lojtar që mund të ndezë fantazinë, edhe pse mbeti në stol gjatë 90 minutave të gjysmëfinales kundër Sllovakisë.
Në portë është Muriç i Sassuolos, në mbrojtje Vojvoda.
Në mesfushë, përvojë edhe nga Valon Berisha, një tjetër djalë i diasporës.
Nuk është rastësi që Kosova, megjithëse një realitet ende i ri në futbollin ndërkombëtar, ka ndërtuar tashmë një identitet të vetin.
Ajo nuk ka thellësinë e skuadrave të mëdha, por ka entuziazëm, intensitet dhe një motivim të veçantë.
Për shumë nga këta djem, arritja në Botëror do të thoshte shumë më tepër sesa pjesëmarrje në një turne.
Do të ishte përmbushja e një identiteti sportiv dhe kombëtar ende në ndërtim.
Dhe kështu ëndrra është reale.
Jo e lehtë, por reale. Kosova beson dhe mbështetet te 13 000 tifozët në Prishtinë, por edhe te bijtë e saj të shpërndarë nëpër kontinent.

