"Atmosfera elektrizuese sikur dita e pavarësisë"/ Ajeti nga qendra e Prishtinës: Numri i tifozëve mysafirë do shkojë në 2,000

Në sheshin 'Skënderbeu' në Prishtinë, përpara ndeshjes historike të Kombëtares së Kosovës kundër Turqisë, gazetari Jon Ajeti për Ora News në hapësirën “Për shqiptarët”, raportoi drejtpërdrejt nga qendra e kryeqytetit.

Sheshi është mbushur me tifozë, kryesisht të rinj, të cilët, edhe pa biletë për stadium, ndjekin festën me flamuj të Kosovës dhe shqiptarë. Tre ekrane gjigante do të vendosen në shesh për të përcjellë ndeshjen.

“Sheshi kryesor është kthyer në një pikëtakim për tifozët. Edhe ata që nuk kanë biletë janë pjesë e festës. Atmosfera është elektrizuese, sikur dita e pavarësisë.”-shtoi ai.

Stadiumi “Fadil Vokrri” me 12,500 vende ka rezultuar i vogël për kërkesën, duke çuar çmimet e biletave në tregun e zi deri në pesëfishin e vlerës zyrtare.

Rreth 2,000 tifozë nga Turqia pritet të jenë prezent, sipas protokollit të UEFA-s, ndërsa marrëdhëniet mes tifozëve mbeten miqësore.

Lokale të ndryshme në Prishtinë kanë ofruar çaj dhe kafe falas për qytetarët turq si shenjë mikpritjeje.

Formacioni i Kosovës pritet të mbetet i njëjtë si ndaj Sllovakisë, me ndonjë ndryshim të vogël në mesfushë. Tifogrupi zyrtar, Dardanët, do të qëndrojë pas portës, duke siguruar mbështetje të zjarrtë për 90 minuta.

“Numri i tifozëve mysafirë do të jetë rreth 2,000. Shumë shqiptarë nga trojet dhe diaspora kanë ardhur për të mbështetur ekipin, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme në qendër të Prishtinës.”- u shpreh Ajeti.

Gazetari parashikon një fitore të mundshme 2-1 për Kosovën, ndërsa atmosfera në shesh dhe stadium reflekton pritjen e madhe për këtë finale të kualifikimeve për Kupën e Botës.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: