BOTËRORI NË MEKSIKË DO TË SHKËLQEJË/ Presidentja meksikane Sheinbaum takon presidentit e FIFA-s:
Presidentja e Meksikës dhe kreu i FIFA-s diskutuan përgatitjet për Botërorin 2026. Turneu do të nisë më 11 qershor në stadiumin “Azteca” në Mexico City.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka zhvilluar një takim me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të diskutuar përgatitjet për Kupën e Botës 2026, e cila do të organizohet bashkërisht nga Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja gjatë muajve qershor dhe korrik.
Takimi u zhvillua në Pallatin Kombëtar në Mexico City, ku sipas Sheinbaum, palët vlerësuan ecurinë e organizimit dhe koordinimin e strukturave për eventin madhor.
Sheinbaum deklaroi në rrjetet sociale se përgatitjet po ecin sipas planit dhe shprehu bindjen se turneu do të zhvillohet me sukses. Ajo theksoi rëndësinë e këtij eventi për vendin, duke e cilësuar ceremoninë hapëse si një moment historik dhe të jashtëzakonshëm.
Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor në stadiumin “Azteca” në Mexico City, ku pritet të luhet ndeshja hapëse mes përfaqësueses së Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Ky stadium historik po përgatitet për të pritur një nga eventet më të rëndësishme sportive në botë.
Në kuadër të përgatitjeve, fundjavën e kaluar u zhvillua një ndeshje miqësore mes Meksikës dhe Portugalisë në të njëjtin stadium. Ngjarja u shoqërua me një incident tragjik, ku një tifoz humbi jetën pasi ra nga një nivel i lartë në zonën VIP të stadiumit.
Nga ana e tij, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet meksikane dhe garantoi se Kupa e Botës 2026 do të jetë një sukses për vendin dhe për organizatorët e tjerë.
Turneu pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në histori, duke përfshirë tre vende pritëse dhe një numër të zgjeruar ekipesh pjesëmarrëse, çka e bën edhe më kompleks organizimin dhe rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar.
