27 vite nga ngjarja e Pastaselit, pjesë e fushatës serbe të terrorit dhe spastrimit etnik

Më 31 mars te vitit 1999, u krye Masakra e Pastaselit, një akt i rëndë dhune nga forcat policore dhe ushtarake serbe ndaj popullsisë civile shqiptare në fshatin Pastasel, në komunën Rahovec të Kosovës.

Operacioni brutal i forcave policore dhe ushtarake serbe përfundoi me vrasjen e 106 personave të pafajshëm, të moshave nga 14 deri në 95 vjeç. Në këtë vendbanim kishin gjetur strehë mijëra civilë të dëbuar nga zona të ndryshme, të cilët kërkonin mbrojtje nga dhuna dhe përndjekjet. Pasi u rrethuan dhe u plaçkitën, burrat u ndanë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan pranë përroit të fshatit.

Krimi u rëndua edhe më shumë nga përpjekjet për të fshehur gjurmët, duke djegur trupat apo edhe duke i zhvarrosur trupat e të vrarëve në raste të tjera.

Nga kjo masakër mbijetuan 14 dëshmitarë, dy prej të cilëve dëshmuan në Gjykatën e Hagës.

Dëshmitë e dy të mbijetuarve të masakrës së Pastaselit ishin gurë themeli në ndërtimin e dosjes ligjore kundër udhëheqjes së lartë shtetërore dhe ushtarake serbe. Dëshmitë e tyre sollën dënime individuale, si dhe shërbyen si mjeti kryesor që bindi gjykatësit se në Kosovë ishte ushtruar një fushatë sistematike terrori mbi baza etnike.