Putin përgjysmon çmimin e gazit për Serbinë/ Vuçiç: Furnizim më i lirë se Europa për 3 muaj

Serbia do të furnizohet me gaz rus edhe për tre muajt e ardhshëm me çmime më të ulëta se ato në tregun europian, pas një marrëveshjeje mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Sipas marrëveshjes, Serbia do të marrë rreth 6 milionë metra kub gaz në ditë, me mundësi për të shtuar sasinë në raste emergjente ose gjatë periudhave të ftohta.
Çmimi është i lidhur me formulën e naftës, duke e mbajtur shumë më të ulët se ai i tregut ndërkombëtar. Vuçiç tha se ndërsa çmimi mesatar në bursë është rreth 645 dollarë për 1 mijë metra kub, Serbia paguan rreth 320–330 dollarë.
Ai sqaroi se kjo e vendos Serbinë ndër vendet më të favorizuara në Europë për çmimin e gazit, pas Bjellorusisë.
Në të njëjtën kohë, Serbia po rrit gradualisht furnizimin edhe nga Azerbajxhani, për të diversifikuar burimet e energjisë.
Gjatë takimit, dy presidentët diskutuan edhe bashkëpunimin në fusha të tjera si mjekësia, farmaceutika dhe projekte ekonomike.

