Kriza e Spiropalit del hapur, incidenti në mbledhje detyron Ramën të ndërhyjë me ultimatum
Pas rreth një viti në dy nga postet më të rëndësishme të shtetit – 6 muaj në krye të Kuvendit dhe 5 muaj si ministre e Jashtme – Elisa Spiropali duket se nuk po e përballon më presionin e “politikës së madhe”.
Burime nga radhët e grupit parlamentar socialist bëjnë me dije për një sjellje të pazakontë dhe shqetësuese në mbledhjen e fundit: Spiropali është parë duke folur dhe sharë nën zë, duke qeshur në mënyrë të çuditshme kur flisnin të tjerët, madje edhe duke folur me vete në mes të mbledhjes.
Situata ka degraduar më tej kur ajo i është hakërruar drejtoreshës së ASHK-së, Lorena Goxhibellit, ndërsa fyerjet kanë vijuar edhe ndaj ministres për Parlamentin, Erjona Ismaili.
Sipas të njëjtave burime, përballë kësaj sjelljeje që shumë e krahasojnë me një “gango” që ka nisur të prishë mbledhjet e PS, Edi Rama fillimisht ka zgjedhur ta injorojë, por më pas është detyruar të ndërhyjë ashpër për të vendosur rregullin.
Në fund, mësohet se Rama i është drejtuar prerë: “Mbylle gojën dhe mos fol më, ose do të të nxjerr vetë jashtë.”
Deputetët socialistë kanë mbetur të habitur nga kjo sjellje e paprecedentë e Spiropalit, ndërsa gjithnjë e më shumë shtrohet pyetja: A është kjo shenjë e xhelozisë së Spiropalit për kolegët ministra apo një protestë për largimin e saj si ministre dhe drejtuese politike në Kavajë?
