RAMA NIS “PUNËT E SHQIPËRISË” / Kryeministri urdhër ministrave e deputetëve: Takime me qytetarët

Nën moton “Punët e Shqipërisë”, anëtarët e qeverisë dhe deputetët socialistë do të nisin nga java e ardhshme një tur kombëtar dialogu me qytetarët deri në përvjetorin e themelimit të PS në muajin qershor dhe që do të ketë në fokus cështje konkrete. Kryeministri Edi Rama mësohet se ka dhënë porosi të qarta për këtë në mbledhjen mes qeverisë e grupit parlamentar ku vëmendje të vecantë morën diskutimet për agjencinë e Kadastrës.

Java e ardhshme nis me punë në terren për socialistët. Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar nisjen e turit “Punët e Shqipërisë”. Këto takime do të vijojnë deri në 12 qershor, datë kjo që përkon me 35-vjetorin e themelimit të forcës politike.

‘Punët për Shqipërinë’, është turi që do të nxjerrë kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësuesit e tjerë të mazhorancës socialiste para qytetarëve.

Kjo lëvizje u shpall nga mbledhja analizë mes grupit parlamentar të PS dhe qeverisë, në drejtimin e kryeministrit Edi Rama që zgjati për disa orë dhe u mbajt me dyer të mbyllura.

Rëndësia e komunikimit me qytetarët për çdo nismë që do ndërmerret, shumica e të cilave në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, mësohet se ishin në focus të takimit.

Turi do të vijojë deri më 12 qershor, kur është 35 vjetori I themelimit të ps

Diskutim me rëndësi më vete ishte pas raportit të Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli,  mbi problematikat që lidhen me cështjet e pronave dhe legalizimeve.

Shefja e Kadastrës iu përgjigj shqetësimeve të deputetëve të pranishëm, teksa është paralajmëruar një reformë kadastrale, edhe në kuadër të realizimit të reformës së re territorial.

Në sy nga mbledhja e zgjeruar e grupit të PS, ra prania e ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropali, e cila ishte vendosur në rresht të dytë të tryezës.

Që pas shkarkimit të saj si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe mosprania në votimin në parlament në mbrojtje të ish-numrit dy të qeverisë qëndrimet e saj kanë qenë thumbuese, duke mos munguar as edhe sfidat e hapura.