Tensione në G7/ BE kërkon masa të forta ndaj Rusisë, Rubio: Po përpiqemi dhe do vazhdojmë mbështetjen ndaj Ukrainës
Në samitin e ministrave të Jashtëm të G7 janë regjistruar tensione mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për mënyrën si po trajtohet lufta në Ukrainë dhe qëndrimi ndaj Rusisë.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, i kërkoi sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, një qëndrim më të fortë ndaj Moskës.
Ajo kujtoi se një vit më parë SHBA kishin paralajmëruar masa më të rrepta, por situata mbetet e pandryshuar.
Reagimi i Rubios erdhi me tone të forta.
Ai tha se SHBA po bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe se vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Sipas tij, nëse vendet evropiane mendojnë se mund ta menaxhojnë më mirë situatën, mund të veprojnë vetë.
Pas këtij momenti të tensionuar, ministrat evropianë kërkuan vazhdimin e bashkëpunimit me SHBA për zgjidhje diplomatike. Në fund të takimit, dy zyrtarët zhvilluan një bisedë të shkurtër për të ulur tonet.
Pavarësisht përplasjes, pala amerikane e cilësoi situatën si një diskutim normal mes aleatëve. Megjithatë, në Evropë po rritet shqetësimi se fokusi i SHBA mund të zhvendoset drejt krizave të tjera, ndërsa lufta në Ukrainë mbetet pa një zgjidhje të afërt.

