"S'do e njohim kurrë pavarësinë e Kosovë"/ Vuçiç akuzon forcat trepalëshe në rajon: Do mbrojmë vendin tonë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka folur sërish për Kosovën dhe situatën në rajon gjatë një fjalimi në Beograd, në përkujtim të sulmeve të NATO-s në vitin 1999.

Ai tha se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe pretendon se disa vende të huaja i kanë premtuar Çmimin Nobel nëse e bënte këtë.

Vuçiç akuzoi Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë për formimin e një aleance ushtarake, duke thënë se qëllimi ishte të kontrollonin Serbinë në rast të një konflikti midis Evropës dhe Rusisë.

“Ne nuk do të sulmojmë askënd, por do të mbrojmë vendin dhe popullin tonë. Kjo është një e drejtë që askush nuk mund të na e heqë,” tha ai.

Ai shtoi se Serbia po forcon ushtrinë dhe ka një doktrinë të re mbrojtëse për të garantuar sigurinë e vendit.