Arrestimi i 4 shqiptarëve në Serbi për fanellat etnike/ Behluli: Ata tashmë janë paraburgim dhe pritet ende një vendim gjykate
Në lidhje direkte nga Lugina e Preshevës për Ora News në hapësirën "Për shqiptarët" ka qenë gazetarja Ardita Behluli e cila foli për situatën e katër shtetasve shqiptarë të arrestuar në Serbi për veshjen e fanellave me simbolet e “Shqipërisë etnike”.
Sipas saj, arrestimi ndodhi ndërsa ata udhëtonin në një autostradë brenda territorit serb.
Personat akuzohen për prishje të rendit publik dhe për fyerje ndaj shtetit serb, ndërsa aktualisht ndodhen në paraburgim për 48 orë, duke pritur vendimin e autoriteteve për fatin e tyre.
“Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet serbe për simbolet kombëtare në fanellat e tyre. Ata ndodhen në paraburgim dhe pritet vendimi i gjykatës.”- u shpreh gazetarja.
Identiteti i të arrestuarve është pjesërisht i zbuluar, A.S., 37 vjeç; E.V., 42 vjeç; E.G., 48 vjeç; dhe A.C., 18 vjeç.
Ata dyshohen gjithashtu për publikimin e një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqen duke udhëtuar me automjet tip “Audi” në autostradën serbe.
“Autoritetet serbe akuzojnë katër shtetasit për nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, pas publikimit të videos në Facebook.”- tha ajo.
Hetimet vijojnë dhe pritet që drejtësia serbe të vendosë për masat e mëtejshme ndaj tyre.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË "ORA NEWS":