Gonxhja takim me BB: Drejt një modeli të ri financimi për turizmin dhe identitetin kulturor
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti drejtuesen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor, të Bankës Botërore, Xiaoqing Yu si dhe përfaqësues të tjerë të BB.
Ky takim pason një seri diskutimesh teknike mes MTKS, Bankës Botërore, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Financave, me fokus sigurimin e një instrumenti financiar për mbështetjen e investimeve strategjike në turizëm dhe trashëgimi kulturore.
“Gjatë takimit diskutuam mbi hapat konkretë drejt marrëveshjes së re të financimit, projektet prioritare dhe nisja e fazës “feasibility study”, falë një granti lehtësues prej 3 milionë $ (GFPP) për analizën, përgatitjen, propozimet dhe përzgjedhjen e investimeve më të qëndrueshme dhe me impakt afatgjatë. Ky bashkëpunim synon të forcojë modelet e financimit dhe të rrisë cilësinë e ndërhyrjeve në sektor, në funksion të zhvillimit dhe promovimit të identitetit kulturor e natyror të vendit dhe jetëzimit të strategjisë sonë të turizmit në një plan të koordinuar edhe në kuadrin e një agjende rajonale”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja.
Gjatë takimit është theksuar edhe rëndësia e përfshirjes së zonave me ekspozimin më të lartë ndaj flukseve përpunuese, tranzituese ose pritëse, si Bashkia Vorë dhe gjithashtu zona me specifika të biodiversitetit dhe pasurive natyrore si Pogradeci, ku ka problematika me menaxhimin, mjedisin dhe me infrastrukturën e komunitetet.
