Sharka: Kostot e prodhimit janë rritur me 50%, tregu nuk përballon rritjen e çmimeve

Bujqësia shqiptare po përballet me një krizë të thellë, ndërsa rritja e fortë e çmimit të naftës dhe inputeve bujqësore, si pesticidet dhe plehrat kimike, po i detyron fermerët të reduktojnë mbjelljet apo të heqin dorë plotësisht nga punimi i tokës.

Alarmi u ngrit në studion e Ora News nga përfaqësuesi i Shoqatës së Fermerëve, Eduard Sharka, i cili paralajmëroi pasoja të drejtpërdrejta për çmimet e ushqimeve dhe sigurinë ushqimore në vend.

"Rritja e çmimeve të inputeve ka rritur koston e prodhimit bujqësor dhe blegtoral me të paktën 50%, duke e bërë aktivitetin jo rentabël për shumë fermerë. Në këto kushte, për të mbuluar shpenzimet, çmimi i shitjes së produkteve do të duhej të rritej me të njëjtën përqindje, gjë që tregu aktual nuk mund ta përballojë.

Sharka theksoi se fermerët janë goditur në mënyrë të përsëritur edhe nga fatkeqësi natyrore, si përmbytjet e shpeshta, pa marrë kompensime financiare. Sipas tij, krizat e shpeshta të tregut, ku çmimi i produkteve bie nën koston e prodhimit, kanë shtuar më tej vështirësitë ekonomike të sektorit.

“Është fakt që fermerët po heqin dorë nga mbjelljet. Rritja e çmimit të naftës dhe inputeve e ka rritur minimalisht me 50% koston e prodhimit. Në këto kushte, shumë fermerë nuk kanë më likuiditet dhe nuk shohin interes për të vazhduar punën,” u shpreh ai.

Sipas përfaqësuesit të fermerëve, produktet më të rrezikuara për shtrenjtim janë ato blegtorale, ndërsa rritje çmimesh priten edhe për drithërat dhe produkte të tjera bazë.

Ai paralajmëroi se nëse trendi aktual vijon, vendi rrezikon të bëhet gjithnjë e më i varur nga importet, edhe për produkte bazike të shportës ushqimore.

Një tjetër problem i theksuar është niveli i ulët i subvencioneve për bujqësinë në Shqipëri, i cili sipas Sharkës është disa herë më i ulët se në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që bujqësia kontribuon rreth 15.5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, sektori merr vetëm 1.55% të buxhetit të shtetit, dhe vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume shkon si mbështetje direkte për fermerët.

Ai shtoi se mungesa e konkurrencës dhe politikat e pamjaftueshme mbështetëse kanë bërë që fabrikat e përpunimit të importojnë lëndë të parë, si qumështi nga vendet e rajonit, në vend që ta blejnë nga prodhuesit vendas.

Në këto kushte, rreziku për braktisje masive të tokave mbetet real. Shumë fermerë, sipas tij, janë detyruar të shesin bagëtitë dhe të lënë tokat djerrë, ndërsa konsumatorët pritet të përballen me çmime gjithnjë e më të larta për produktet ushqimore në muajt në vijim.

Ndiqni intervistën e plotë: