“Edhe nëse do e kishim falas, do paguanim 137 lekë/litër” - Kedhi: Taksat përbëjnë 60-65% të çmimit final të naftës që paguajnë qytetarët

Çmimi i lartë i karburanteve në Shqipëri vijon të jetë një shqetësim madhor për qytetarët dhe biznesin.

Në analizën e tij në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi analizoi faktorët që, sipas tij e mbajnë çmimin e naftës artificialisht të lartë, duke propozuar edhe zgjidhje konkrete.

Kedhi tha se problemi nuk lidhet vetëm me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, por me tre problematika të thella të brendshme: mungesa e tregut të lirë, barra e lartë fiskale dhe mungesa e kontrollit nga shteti.

Kedhi u shpreh se tregu shqiptar i karburanteve nuk është i lirë, por funksionon si një oligopol, ku një grup i vogël aktorësh të mëdhenj kontrollojnë dhe vendosin çmimet.

Ky treg, tha ai, shfaq një elasticitet asimetrik, ku çmimet rriten menjëherë sapo ka një rritje në bursat ndërkombëtare, por nuk ulen, ose ulen me shumë vonesë dhe në masë të vogël, kur çmimet ndërkombëtare bien.

Faktori i dytë dhe më tronditës është barra e lartë fiskale. Sipas Kedhit, taksat përbëjnë 60-65% të çmimit final të naftës që paguajnë qytetarët.

Kjo përfshin taksën e qarkullimit, taksën e karbonit, akcizën, TVSH-në dhe të tjera. Për të ilustruar këtë peshë të rëndë, Kedhi tha se edhe nëse nafta do të merrej me çmim zero, pra falas, qytetarët shqiptarë sërish do të duhej të paguanin rreth 137 lekë për litër vetëm për taksat.

Madje, ai bëri një krahasim ku u theksua se totali i taksave për karburantin në Shqipëri është i barabartë me çmimin e plotë të tij në Maqedoninë e Veriut.

Problematika e tretë e identifikuar është mungesa e plotë e transparencës, monitorimit dhe kontrollit nga ana e institucioneve shtetërore.

Kedhi përmendi detyrimin ligjor për mbajtjen e një rezerve 90-ditore karburanti, duke ngritur pyetjen nëse ky detyrim kontrollohet nga shteti. Kjo mungesë kontrolli, sipas tij, i lë rrugë të hapur abuzimeve dhe mban çmimet të larta.

Përballë kësaj situate, Kedhi u shpreh se Partia Demokratike ka propozuar uljen e taksës së qarkullimit në nivelin e para vitit 2013 dhe përdorimin e të ardhurave shtesë nga TVSH-ja për të kompensuar uljen e akcizës, duke ndërhyrë kështu direkt në komponentin fiskal që rëndon çmimin final.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT NË “ORA NEWS”