“Ne tatohemi dy herë” - Spaho: Ne paguajmë 20%-shin jo vetëm për naftën, por edhe mbi taksat e vendosura për naftën

Shqiptarët po përballen me çmimet më të larta të karburanteve në rajon, një situatë që nuk i atribuohet vetëm krizës ndërkombëtare, por edhe një sërë faktorësh të brendshëm problematikë.

Analizat e fundit tregojnë se një kombinim i fitimeve tejet të larta të importuesve dhe një skemë tatimore e diskutueshme e bëjnë barrën për konsumatorin shqiptar shumë më të rëndë se për fqinjët e tij.

Në analizën e tij në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho u shpreh se problemi fillon që para se taksat të aplikohen. Edhe në vlerën e saj bruto, pa taksa, një litër naftë në Shqipëri kushton rreth 250 lekë të vjetra më shumë sesa në vendet e tjera të rajonit.

Kjo diferencë e pajustifikuar, tha Spaho, ngre dyshime për marzhe abuzive fitimi nga ana e kompanive importuese. Tregu i karburanteve në vend shfaq shenja të qarta monopoli, ku vetëm tre kompani kontrollojnë rreth 70% të totalit të importeve, duke krijuar një mjedis jokonkurrues që dëmton drejtpërdrejt konsumatorin.

Sikur të mos mjaftonte kjo, skema fiskale që aplikohet nga shteti e përkeqëson më tej situatën. Përveç akcizës fikse, e cila është ndër më të lartat në rajon, shteti shqiptar aplikon një metodë të dyfishtë tatimi.

Spahi theksoi se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 20% nuk llogaritet vetëm mbi koston reale të karburantit, por mbi koston plus vlerën e akcizës. Në praktikë, kjo do të thotë se qytetarët paguajnë “taksë mbi taksë”, një mekanizëm që fryn artificialisht çmimin final në pompë dhe që konsiderohet absurd në praktikat fiskale të vendeve normale.

Në këtë mënyrë, edhe vetë shteti duket se po përfiton nga kriza. Rritja e çmimeve përkthehet në të ardhura më të larta nga taksat, duke lejuar qeverinë të krijojë rezerva financiare, ndërkohë që barra kryesore bie tërësisht mbi supet e qytetarëve dhe bizneseve.

Mateo Spaho u shpreh se impakti social dhe ekonomik i kësaj situate është alarmant. Para rritjes së fundit, kostoja e një litri naftë zinte rreth 7% të të ardhurave ditore mesatare të një qytetari shqiptar.

Sot, kjo shifër ka arritur në 9%. Për krahasim, në një vend si Italia, kostoja e një litri naftë zë vetëm 1.6% të të ardhurave ditore të një qytetari.

Kjo diferencë e thellë tregon barrën disproporcionale që mbajnë familjet shqiptare dhe rrezikun e një dëmi afatgjatë për ekonominë, pasi konsumi pritet të tkurret ndjeshëm.

ANALIZA E MATEO SPAHOS: “Është një tabelë në fakt që tregon çmimin e naftës para se sa të fillojnë taksat, sepse ne po i japim gjithmonë fajin shtetit, që ka fajet e veta. Por ka dhe një gjë të vogël fare.

Për shembull, që nga importi, përpunimi dhe shitja, dhe edhe fitimi i biznesit, ne kemi një diferencë të madhe me vendet e rajonit. Për shembull, në vendet e rajonit, nafta kur shkon për t'u tatuar, 1 litër naftë, është aty tek 700 lekë të vjetra, 70 cent euro! Në Shqipëri është 95 deri 98 cent, ose 950 lekë. Pra ka një 250 lekësh që nuk kuptohet pse ne i kemi kosto shtesë.

Ose na kushton më shumë transporti për ta transportuar naftën, ose na kushton më shumë përpunimi dhe nuk e kuptoj sepse ne e importojmë të përpunuar, ose ata që importojnë fitojnë shumë më shumë dhe duan të fitojnë shumë më shumë se bizneset e vendeve të tjera. Nuk e di, gjejeni vetë. Por, në fakt, tre importuesit kryesorë në Shqipëri importojnë 70% të totalit të naftës.

Qeveria e ka të thjeshtë, mjafton të bëjë tre telefonata, pa hedhur 300 kontrolle në fushë, dhe të humbasim ditë e ditë, gjoba e gjëra ... gjoba që unë personalisht deri më sot nuk kam dëgjuar të kenë ndodhur, të ketë pasur.

Dhe pastaj i vijmë pastaj çështjes së shtetit, unë do të doja të ndaloja në një pikë, që për mua është një çudi e madhe.

Pse? Ne kemi dy lloj taksash: akcizat dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që vendoset. Tani, akcizat janë taksa mbi produkte ose luksoze... Në fakt, nafta është bërë luksoze sot, ose që bëjnë dëm shëndetit. Në fakt, është kjo e dyta.

Ne kemi një strukturë tatimi ku veç të gjitha kostove për import, përpunim e kështu me radhë, ne i vëmë dhe rreth 400 lekë të vjetra, pak a shumë, akciza, dhe kur llogarisim Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, nuk e llogarisim thjesht mbi produktin naftë, po e llogarisim edhe mbi akcizën.

Pra ne paguajmë 20%-shin jo vetëm për naftën, por edhe mbi taksat e vendosura për naftën. Pra ne tatohemi dy herë. Paguajmë dy herë taksa.

Paguajmë njëherë taksën mbi naftën dhe pastaj paguajmë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që është mbi naftën dhe mbi taksën mbi naftën.

Pra, domethënë, në një vend normal, vënë duart në kokë për këtë gjë. Por ja që ndodh kështu.

Shteti shqiptar në fakt po përfiton nga situata, sepse nuk është e domosdoshme që çmimi të vejë 2200 lekë që shteti të krijojë rezerva për të kompensuar për uljen e çmimit.

Edhe sot jemi në një situatë të tillë, ku shteti po i krijon rezervat. Natyrisht, ka një gjë, që është një pikëpyetje, nuk e dimë se kur do të përfundojë kriza. Dhe me çfarë po duket, ende aq e shkurtër nuk është. Pra, me sa po shikojmë, le të themi kështu, ka sinjale pozitive, por jemi te sinjalet.

Nuk ka asgjë të shkruar në letër, asnjë firmë, ndonjë akord. Gjë që do të thotë se situata nuk është se pritet realisht të përmirësohet, përtej ndonjë deklarate të Trump-it ose të Rafsanzhanit në Iran. Kështu që, problematika, me sa duket, do vijojë. Dhe do të doja të shtoja një element të fundit, pastaj e mbyll.

Ne në Shqipëri para se sa të kishim rritjen e naftës, 1 litër naftë kushtonte mbi 7% të të ardhurave ditore të një qytetari, sot kushton 9%. Ndërkohë që në Itali, 1 litër naftë e kushtonte sa 1.5% të të ardhurave të një italiani, sot është 1.6%.

Imagjinoni çfarë dëmi mundet t'i krijohet ekonomisë shqiptare nëse kjo situatë vijon. Sepse nga 7 në 9% do të thotë që unë do konsumoj shumë më pak, do e shtrëngoj rripin më shumë”.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT NË “ORA NEWS”