Raporti i 'Freedom house', Rama: Shqipëria në top 10 për sigurinë kibernetike
Kryeministri Edi Rama deklaroi në podcastin e tij “Flasim” se Shqipëria ka marrë një vlerësim pozitiv nga raporti ndërkombëtar i Freedom House për lirinë në botë 2026. Ai theksoi se vendi është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë, duke e kaluar Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë.
Rama shtoi se raporti evidenton progres të dukshëm edhe në aspektin e të drejtave politike, funksionimit të institucioneve, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe transformimit të sistemit të drejtësisë. Ai vuri në dukje se ky rezultat ka një domethënie të veçantë në një kohë kur liria dhe demokracia janë nën presion global.
“Shqipëria mori një vlerësim pozitiv nga raporti i mirënjohur i Freedom House, i cili është një raport ndërkombëtar për lirinë në botë – Liria në botë 2026, ishte raporti i këtij viti. Dhe është një zhvillim që ia vlen të përmendet, edhe pse unë të gjitha raportet, përveç atij të Komisionit Europian, të cilin e marr 100 % të mirëqenë, i marr me një farë rezerve, pasi bazohen në metodologji dhe në rrugë anketimi, që jo gjithmonë janë të qëndrueshme.
Gjithsesi, ky është një ndër ato raporte që meriton vëmendje dhe i cili respektohet përgjithësisht. Kështu që, sipas këtij raporti, vendi ynë ka shënuar, jo vetëm një përmirësim në raport me më parë, por është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë. Dhe ky rezultat na vendos në krye, përpara Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Serbisë, duke reflektuar edhe një progres në raport me rajonin. Ndërkohë që, edhe në aspektin e të drejtave politike dhe funksionimit të institucioneve, progresi është i dukshëm, ashtu siç vlerësohen edhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe në transformimin e sistemit të drejtësisë. Por, ajo që e bën këtë rezultat më domethënës është fakti se kjo vjen në një kohë kur në nivel global liria dhe demokracia janë nën presion dhe në rënie në shumë vende të botës”, theksoi Rama.
Në të njëjtën kohë, kryeministri nënvizoi edhe sukseset e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike. Rama theksoi se sistemi i mbrojtjes kibernetike është përforcuar dhe modernizuar, duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe duke implementuar mekanizma inovativë për reagimin ndaj sulmeve.
“Edhe pse unë nuk jam një tifoz i flaktë i raporteve, e thashë edhe më parë, e dinë të gjithë, gjithsesi, kjo është një ditë shënimesh, ku jo një, po dy raporte zënë vend. Dhe ky i dyti është me një vlerë të veçantë në ditët e sotme, pasi është raporti për sigurinë kibernetike dhe për ne, kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse ne jemi në fokusin e një armiku, që na sulmoi në mënyrë të pamëshirshme, disa vite më parë, duke na gjetur, jo plotësisht të përgatitur, po pa mundur të na bëjë dëmin që parashikonte dhe na sulmon përditë, po tanimë, pa asnjë sukses apo me ndonjë gërvishtje të lehtë fare, siç ndodhi me disa materiale, krejt pa asnjë rëndësi të Kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se sistemi i Kuvendit nuk është ende plotësisht i integruar në sistemin tonë të mbrojtjes.
Sipas këtij indeksi ndërkombëtar, Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë. Tani kështu është dhe hyn në një grup shumë të kufizuar vendesh me performancë të lartë në këtë fushë dhe në këtë rast, kjo përkon plotësisht me testimet e sistemit tonë mbrojtjes. Ne kemi ndërtuar një sistem mbrojtje që është vërtetë i një niveli shumë të lartë. Kemi forcuar strukturat përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe patjetër që, duke i përmirësuar në vijimësi kapacitetet e reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën dixhitale, si edhe duke bashkëpunuar me partnerët e duhur me kurajo, kemi implementuar, jetësuar një sistem inovativ dhe faktikisht kemi zënë një vend në pjesën më të sipërme të klasifikimit të përgjithshëm, në rang global, si rezultat i gjithë këtyre zhvillimeve”, tha ai.

