Drejtori i burgut të Rrogozhinës me shtëpi bari në Peqin! Policia në kërkim të Bilal Hasës, mbolli mbi 4.000 rrënjë kanabis
Një shtëpi bari është zbuluar së fundmi në Peqin, ku policia ka gjetur një sasi të madhe bime narkotike të kultivuar në ambiente të mbyllura.
Banesa ku u zbulua kjo veprimtari dyshohet se i përket Bilal Hasës, drejtorit të burgut të Rrogozhinë.
Pas zbulimit, ai është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas burimeve për Ora News, gjatë kontrollit në banesë janë gjetur rreth 4 mijë rrënjë kanabis, të mbjella dhe të përshtatura për kultivim të brendshëm.
Policia po vijon punën për kapjen e tij dhe për të zbardhur të plotë rrjetin që mund të jetë përfshirë në këtë rast.
SHTEPIA E BARIT
Pamjet që shikoni në videon më LART janë nga banesa e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, brenda së cilës u gjetën mijëra bimë kanabisi.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj, shërbimet e policisë zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan rreth 4000 bimë kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ambienti është në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, drejtor i burgut të Rrogozhinës, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Po ashtu, në vijim të veprimeve hetimore, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE për zonën e Peqinit.
Po kush është Bilal Hasa?
Bilal Hasa nuk është një emër i panjohur. Në 2020 kur ai mbante postin e Kryetarit të njësisë administrative Gjocaj në Peqin u konfliktua me disa persona në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Socialiste në Peqin, ditën kur u zhvilluan edhe zgjedhjet për kreun e ri të PS në këtë qark.
Shkaqet e këtij konflikti atëherë u tha se kishin nisur për shkak të procesit zgjedhor për kryesimin e PS në Peqin, ku u zgjodh Madrid Sula. Hasa kundërshtonte mënyrën e zgjedhjes.
I pranishëm në këtë sherr ka qenë dhe Taulant Balla, atëherë sekretari i Përgjithshëm i socialistëve. Hasa atëherë u qëllua me sende të forta dhe shqelma nga persona të cilët dyshoheshin se njiheshin mes tyre.
Pas publikimit të rastit, Drejtoria e Burgjeve njoftoi se Hasa është pezulluar nga detyra deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kopetente.

