Mashtrim kibernetik, rikuperohen rreth 35 mijë euro nga ndërhyrja në një llogari biznesi online

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka bërë të mundur rikuperimin e rreth 35 mijë eurove, të humbura si pasojë e një rasti mashtrimi kompjuterik. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të paautorizuar në një llogari biznesi në rrjete sociale, ku fondet janë përdorur për pagesa në platforma reklamimi online.

Njoftimi:

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike

Rikuperohen rreth 35 000 euro nga një rast mashtrimi kompjuterik.

Në vijim të punës hetimore mbi një rast të mashtrimit kompjuterik, të lidhur me ndërhyrjen e paautorizuar në një llogari biznesi në rrjete sociale dhe realizimin e pagesave të paautorizuara nëpërmjet platformave të reklamimit online, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit kanë ndjekur dhe koordinuar veprimet për trajtimin e këtij rasti.

Si rezultat i komunikimeve dhe bashkëpunimit institucional të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, me institucione bankare dhe me platformën ndërkombëtare të shërbimeve dixhitale, është bërë i mundur rikthimi i shumës rreth 35 000 euro, e cila ishte përdorur në mënyrë të paautorizuar për fushata reklamimi online.

Ky rast evidenton rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për trajtimin e rasteve të cenimit të sigurisë kibernetike, si dhe rolin e mekanizmave të raportimit dhe verifikimit të transaksioneve të dyshuara.

Policia e Shtetit apelon që çdo qytetar apo subjekt, që dyshon se është viktimë e një ndërhyrjeje të paautorizuar në llogaritë e tij online, mashtrimi në internet apo përdorimi të paautorizuar të kartave dhe platformave dixhitale, të kontaktojë menjëherë Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Shtetit, për të mundësuar verifikimin dhe trajtimin sa më të shpejtë të rastit.