Përplasje zinxhir në Qafë-Plloçë/ Përplasen tre kamionë me një fugon me pasagjerë, bllokohet bypass-i
Një aksident rrugor ka ndodhur pak minuta më parë në zonën e Qafë-Plloçë, ku janë përfshirë tre kamionë dhe një fugon me pasagjerë. Nga të dhënat e para, nuk ka persona të lënduar rëndë, por janë shënuar dëme materiale.
Drejtuesi i njërit prej mjeteve dhe disa persona të tjerë janë dërguar për kontroll në Spitali i Pogradecit, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre mësohet të jetë e stabilizuar.
Aksidenti ka krijuar vështirësi në qarkullim në këtë segment rrugor.
Situata është bërë më e ndjeshme pasi një nga kamionët transportonte lëndë djegëse.
Trafiku po devijohet përkohësisht në një rrugë dytësore pranë një pike karburanti.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilat po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

