“VITI I ZYRTARËVE” NË KUSHTETUESE/ Gjykata prezanton raportin e 2025 dhe “shqetësimet” për vendimet

Gjykata Kushtetuese regjistroi 501 ankimime të reja në vitin 2025, disa nga të cilat i takojnë instuticioneve apo zyrtarëve e ish zyrtarëve të lartë në procese me drejtësinë.

Raporti I Punës thekson se një cështje mori mesatarisht 8 muaj, ndërsa ngre shqetësimin për mungesën e mekanizmave për zbatimin e vendimeve

Plot 501 ankimime kundër vendimeve gjyqësore u regjistruan në Gjykatën Kushtetuese përgjatë vitit 2025, zbuloi raporti vjetor i punës i institucionit në majë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që ndërkohë 104 çështje të tjera i kishte mbartur pa vendim nga viti paraardhës.

Ishte viti kur mendimin e Kushtetueses e kërkuan vetë kryeministri Edi Rama për çështje kompetencash me Gjykatën e Posaçme, ish-kryeministri Sali Berisha për masat e sigurisë caktuar ndaj tij, sikurse disa funksionarë e ish-drejtues të lartë institucionesh që kanë procese në zhvillim.

Analizimi i të dhënave tregon një rritje me 17% të padive të adresuara në Gjykatën e vetme që ka të drejtën të shqyrtojë kushtetutshmërinë e vendimeve të gjyqësorit.

Në prezantimin e raportit, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fjona Papajorgji, theksoi se çdo çështje në mesataren e saj ka kërkuar 8 muaj kohë për shqyrtim, që e bëjnë Kushtetuesen të jetë brenda pritshmërive që një çështje të mos kalojë 1 vit për shqyrtimin e saj.

Referuar këtij raporti, shumica dërrmuese e ankimimeve vjen nga individët në masën 97% të kërkesave, ku 75% e çështjeve totale kanë të bëjnë me kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të zakonshme.

Po në raport theksohet se në 2025 janë marrë 86 vendime përfundimtare, nga të cilat 53 vendime njëzëri, 28 vendime me shumicë votash dhe 4 vendime pa kuorum 4-4.

Në tryezën me konstitucionalistë e përfaqësues të medias, vëmendje iu kushtua edhe interesit të gazetarëve për vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar nga pushtetet e tjera, siç është politika.

Sipas të pranishmëve, përfshi anëtarët e Kushtetueses, gjykata nuk ka mekanizma për kontrollin e zbatueshmërisë së vendimeve, ndonëse vendimet janë automatikisht të zbatueshme.

Për shkak të mungesës së këtyre mekanizmave, konstatimi i moszbatimit është bërë në disa raste, kur çështja është sjellë sërish në gjykatë për shkak të moszbatimit të vendimit.

Ekspertët dhanë sugjerimin se duhet që stafi dhe Gjykata Kushtetuese të jenë më aktive në monitorimin e vendimeve për sa i përket zbatueshmërisë së tyre.

Një tjetër shqetësim u ngrit edhe lidhur me sulmet personale e denigruese ndaj gjyqtarëve. Kjo sipas tyre cenon besueshmërinë tek ky institucion, teksa sugjeruan që çdo koment apo analizë duhet të bëhet duke u bazuar mbi vendimin dhe për vendimin e arsyetuar prej secilit gjyqtar.

RAPORTI I PUBLIKUAR NË FAQEN ZYRTARE TË GJK:

Të dhëna kryesore

            •           605 çështje në total gjatë vitit 2025

            •           501 kërkesa të reja

            •           104 të mbartura

            •           +17% rritje e kërkesave krahasuar me 2024

 Vendimmarrja

            •           429 vendime gjithsej

            •           85 vendime përfundimtare (20%)

            •           344 vendime moskalimi (80%)

            •           Nga vendimet përfundimtare:

            •           33 pranim i pjesshëm

            •           28 pranim

            •           23 rrëzim

            •           1 pushim

 Afatet

            •           Mesatarja e shqyrtimit:

            •           8 muaj (vendime përfundimtare)

            •           3 muaj (moskalime)

            •           Asnjë çështje e tejzgjatur

Kush i paraqet kërkesat

            •           97% individë (485 kërkesa)

            •           3% nga subjekte të tjera (organizata, deputetë, gjykata, Presidenti, parti)

 Lloji i çështjeve

            •           75% kundërshtim i vendimeve të gjykatave të zakonshme

            •           Të tjera:

            •           kushtetutshmëria e ligjeve

            •           të drejtat themelore

            •           konflikte kompetencash

            •           akte të pushtetit publik