Isha i pari në listën e e*zekutimit/ Mit’hat Havari zbardh dosjen e Sigurimit: 20 spiunë më ndoqën për 9 vite

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit”, ish-i burgosuri politik dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, ka ndarë një dëshmi tronditëse mbi përndjekjen e tij gjatë regjimit komunist, duke zbuluar detaje nga dosja personale e përpiluar nga Sigurimi i Shtetit.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Dosja 4171”, një dokument voluminoz prej 215 faqesh, që përmbledh një periudhë të gjatë survejimi dhe përgjimi intensiv, nga prilli i vitit 1982 deri në shkurt të vitit 1991.

Sipas Havarit, për plot nëntë vite ai është ndjekur hap pas hapi nga rrjeti i Sigurimit, i përbërë nga agjentë dhe bashkëpunëtorë të infiltruar edhe në rrethin e tij shoqëror dhe profesional.

Ai rrëfeu se aktiviteti i tij kundër regjimit kishte nisur që në rini, në një kohë kur shumë pak njerëz guxonin të flisnin hapur kundër pushtetit.

“Bëja armiqësi direkte kundër pushtetit popullor, kundër Enver Hoxhës, Byrosë Politike, varfërisë dhe mungesës së lirisë,” u shpreh ai, duke theksuar se vetë dosja e përshkruan si një person që bënte “propagandë të fortë dhe inteligjente”.

Sipas tij, survejimi zyrtar nisi gjatë kohës që punonte në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku mes kolegëve të tij ishin rekrutuar edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit. Në total, në dosje përmenden rreth 20 persona që raportonin për të, 10 prej të cilëve me pseudonime. Megjithatë, Havari thekson se nuk mban urrejtje personale ndaj tyre, duke ia atribuar përgjegjësinë kryesore sistemit të kohës.

Një nga momentet më dramatike të jetës së tij lidhet me demonstratën e 14 dhjetorit 1990 në Elbasan, ku ai ishte ndër drejtuesit kryesorë. Havari tregon se ishte vendosur në krye të listës për ekzekutim. “Isha piketuar, isha njëshi. Nëse do ekzekutohej një, isha unë,” kujton ai, duke shtuar se shpëtoi falë ndërhyrjes së një miku pranë një zyrtari të lartë në Tiranë.

Edhe pse kishte dyshime se ndiqej, pasi ishte thirrur disa herë në Komitetin e Partisë, ai u përball për herë të parë me dosjen e tij vetëm në qershor të vitit 1992, pas rënies së regjimit. Në atë kohë, teksa ushtronte detyrën si drejtues i rendit publik në Elbasan, dokumenti i ra në dorë gjatë procesit të transferimit të dosjeve drejt Shërbimit Informativ Kombëtar.

Publikimi i plotë i kësaj dosjeje, i shoqëruar edhe me reflektimet e tij personale në libër, vjen si një dëshmi e drejtpërdrejtë e mekanizmave të survejimit, frikës dhe represionit që karakterizuan për dekada regjimin komunist në Shqipëri.

Ndiqni intervistën e plotë: