“Strasburgu e nxori zbuluar”, Beci: Gjykata e Lartë ndërhyn në një kohë kur masa e “arrestit me burg” filloi të prekte figura të pushtetit

Gjykata e Lartë ka ndërmarrë një nismë për të unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, një lëvizje që vjen si përgjigje ndaj një praktike të gjatë abuzive dhe zbatimit abstrakt të masës më të rëndë shtrënguese në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Ish-prokurori Eugen Beci në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” vlerësoi se kjo iniciativë bazohet në dy arsye kryesore. Së pari, vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) kanë nxjerrë në pah dështimin e sistemit gjyqësor shqiptar.

Që nga viti 2017, tha ai, të paktën tre vendime të Strasburgut, kanë konstatuar se gjykatat shqiptare nuk kanë arritur të përcaktojnë elementë konkretë dhe të individualizuar kur caktojnë masën e arrestit në burg.

Në vend të një analize të thelluar të rastit, tha Beci, gjykatat janë mjaftuar me referenca të përgjithshme ndaj neneve të Kodit, duke bërë abstraksion dhe duke mos u marrë me rrethanat specifike të personit dhe veprës.

Beci u shpreh se përdorimi i gjerë i “arrestit me burg” edhe për vepra penale me rrezikshmëri të ulët, si vjedhja e energjisë elektrike, ndërtimet e paligjshme apo drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, e ka shndërruar atë në një normë problematike jo vetëm për juristët, por për të gjithë publikun.

Në vijim ai e cilësoi nismën e Gjykatës së Lartë si pozitive, por gjysmake, pasi sipas tij, problemi thelbësor qëndron te fakti se ky ndryshim nuk po vjen nga një vullnet politik për reformim ligjor, por si një ndërhyrje gjyqësore.

E në këto kushte, Beci u shpreh se ngrihet pyetja se përse mazhoranca qeverisëse nuk ndërmerr një nismë për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke përcaktuar qartësisht kritere përjashtuese dhe pranuese për arrestin në burg.

Një tjetër aspekt kritik është momenti i kësaj nisme, për Becin ishte se ajo vjen në një kohë kur masa e “arrestit me burg” filloi të prekte figura të lidhura me pushtetin politik. Për vite me radhë, kur kjo masë aplikohej pa kriter ndaj qytetarëve të thjeshtë, sistemi i drejtësisë nuk shfaqi asnjë shqetësim. Kjo krijon perceptimin e një standardi të dyfishtë, ku ashpërsia e ligjit shihet si problem vetëm kur “arrin në oborrin e mazhorancës”.

EUGEN BECI: “Nga viti 2017 deri më sot, për të thënë dy elementë kryesorë që është bazuar Gjykata e Lartë.

Deri më sot janë tre vendime të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut që e nxjerrin zbuluar sistemin e gjyqësor shqiptar për sa i përket caktimit të masave të sigurimit.

Ndër to është dhe çështja “Gëllçi kundër Shqipërisë” dhe janë dy çështje të tjera, ku përcaktohet qartë që gjykatat shqiptare kanë dështuar të përcaktojnë elementë të posaçëm për sa i përket kritereve për caktimin e një mase sigurimi arrest në burg.

Që nënkupton, gjykatat shqiptare kanë bërë abstraksion, kanë folur në terma të përgjithshëm, kanë thënë neni 228, neni 229, kanë thënë kushtet dhe kriteret e zbatimit dhe nuk janë marrë me personin dhe nuk janë marrë me çështjen konkrete dhe me elementët konkretë.

Këto ishin dy bazat që Gjykata e Lartë e ka futur çështjen për unifikim, për njësim praktike, pasi ajo e 2011-ës, është vendimi i fundit unifikues që ka lidhje me masat e sigurimit personal që ka caktuar Gjykata e Lartë, një vendim unifikues në vitin 2011, duket se nuk është më adekuat.

Duket se gjykatat në përgjithësi nuk po ecin me atë ritëm. Dhe Gjykata e Lartë ka tentuar të rregullojë një normë e cila, për hir të vërtetës, është bërë problematike jo vetëm për rrethin e juristëve.

Një normë e cila është bërë problematike edhe për vetë publikun e gjerë. Po të vini re, ka një diskurs i cili fillon me fjalën arrest në burg dhe përfundon me fjalën burg, burg, burg. Dhe të gjitha këto elementë, gjykatat shqiptare, prokuroria, po të doni dhe ju, ka dështuar të individualizojë dhe të përcaktojë faktin e thjeshtë që ka kodi i procedurës penale.

Dhe ai Kodi i Procedurës Penale përcakton saktësisht. Arresti në burg vendoset kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Atëherë pyetja që lind është në praktikë. Si çdo masë e papërshtatshme? Për vjedhjet e energjisë elektrike vetëm arrest në burg, masat e tjera janë të papërshtatshme? Për ndërtimet e paligjshme vetëm arrest në burg, masat e tjera janë të papërshtatshme? Për çdo element tjetër, ndërtime të paligjshme, për çdo element tjetër, fushate, drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim mjeti në gjendje të dehur, për protestat, kur thotë Redi. Të gjitha këto, masa e sigurimit më e përshtatshme është arresti në burg. Ky është elementi i parë, që për mua nisma është pozitive, po është gjysmake dhe ka dy elementë thelbësorë për të cilat ne duhet t'i diskutojmë.

E para, pse ndërmerret nga Gjykata e Lartë dhe nuk del ballazi mazhoranca dhe thotë, po vëlla, nga 2013-ta deri më sot unë kam gabuar dhe kam thënë vetëm kot më kot arrest në burg, arrest në burg. Sot unë e shoh që e kam tepruar dhe kërkoj të bëj një nismë ligjore e cila kërkon të ndryshojë kodin e procedurës penale dhe në kodin e procedurës penale të jenë të përcaktuara saktësisht kriteret përjashtuese dhe pranuese për masën e sigurimit të arrest në burg. E para.

Dhe e dyta, pse është elementi i dytë që e vë në dyshim, po themi, krijon një lloj hije të kësaj iniciative që në parim është pozitive, që jo të gjithë njerëzit duhen futur në burg. Por pse krijon një nismë me një hije jo të mirë, me një shije jo të mirë?

Për faktin e thjeshtë që Gjykata e Lartë vjen në një moment kur mazhoranca artikuloi faktin që arresti në burg është i tepruar. Dhe kur mbërriti te oborri i mazhorancës arresti në burg, mazhoranca e kuptoi që arresti në burg ishte i tepruar. Kur ishte te ai fshatari që ndërtonte një kasolle në mënyrë të paligjshme, nuk ishte i tepruar arresti në burg. Kur ishte te drejtimi i mjetit pa patentë, dua të mbaroj logjikën dhe pastaj mund t'i thoni. Dhe kur ishte te të tërë elementët e veprave të tjera penale, asnjë prokuror në Republikën e Shqipërisë dhe asnjë gjyqtar nuk u mendua dy herë për caktuar masën e sigurimit.

Dhe, për mbi të gjitha, Gjykata e Strasburgut i ka thënë shqip Gjykatësve Shqiptare, ju po flisni në terma të përgjithshëm dhe po flisni me terma të përgjithshëm, ne jemi pesë veta këtu në tavolinë. Po të shikoni evoluimin e arsyetimeve të vendimeve të gjykatave shqiptare në përgjithësi, të çdo lloj niveli, ka vajtur drejt abstraksionit, ka vajtur drejt një fryme çudibërëse, flasim me 2-1, me 2-2, flasim për një fakt penal që mund të jetë gjysëm faqeje, e bëjnë atë faktin penal në 150 rreshta, fusin aty opinionin e Venecias, fusin vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe nuk fusin faktin që fshatari i thjeshtë në një fshat të një x qyteti në Shqipëri, ndërtoi paligjshëm një tualet se ja prishi makina dhe ndërtoi dy, dy tulla më tepër pa i marrë leje kryetarit të komunës dhe u fut në burg.

Pra këto janë elementët të cilët do të duheshe që Gjykata e Lartë, shumë mirë që mori iniciativë, po pyetja që lind është, Gjykata e Lartë është mjaftueshëm me vendimin unifikues apo duhet që mazhoranca të ndryshojë këtë sistem dhe mbi të gjitha t'i dalë hapur problemit, nuk duam më arrest në burg.

Kaq është e thjeshtë. Shkon në parlament, bëri iniciativën, ndryshoje Kodin e Procedurës Penale. Se ne këtu në tavolinë e dimë edhe nga praktika. Në momentin që nga 2011 është bërë ky vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masat e sigurimit, kryesisht për masën e sigurimit arrest në burg, shpeshherë gjykatat shqiptare çedonin. Nuk e referonin, nuk e shikonin, nuk e zbatonin. Kurse kur është në Kodin e Procedurës Penale, dhe mua si avokat, dhe mua si prokuror, dhe mua si gjyqtar më detyron më shumë sesa vendimi unifikues dhe nuk fshihem pas mungesës së profesionalizmit.

Pra dy pyetje që lindin dhe që mbase Gjykata e Lartë nuk ka për detyrë t'i japë shpjegime është, përse vendimet janë shumë abstrakte dhe nuk i rregullon Gjykata e Lartë, por përkundrazi i shkon pas avazit të vendimeve të gjykatave të tjera, sa jo qytetari nuk e kupton një vendim për caktimin e masës së sigurimit ndaj vetes, po as avokati i tij nuk e kupton. Duhet të lexosh katër herë një vendim gjykate të kuptosh se çfarë ka dashur të thotë autori”.

NDIQNI EMISIONIN “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”