"Kërkoj drejtësi"/ Prindërit e Ilaria Sulës rreth një viti pas tragjedisë: S’do i falim kurrë...

Një vit pas vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula, prindërit e saj vazhdojnë të kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë në Romë. Banorët e zonës tashmë e quajnë atë segment “rruga e Ilarias”.

Prindërit e saj, Flamur dhe Gezime Sula, kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Siç raportojnë mediat italiane, nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai rregullon lulet dhe ambientin përreth. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.

Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. E pikëlluar, ajo shprehet për Il Messaggero, se pas tragjedisë nuk janë më të njejtët.

“Jeta jonë u ndal më 2 prill. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, shprehet ajo.

Sipas babait, vajza ëndërronte një të ardhme të ndritur.

“Ajo studionte Statistikë dhe do të diplomohej në tetor. Donte të punonte në fushën financiare. Kishte shumë plane për jetën”, thotë Flamur Sula.

E pyetur se çfarë kujton nga ajo ditë kur mori vesh lajmin për të bijën, Gëzime Sula shprehet se kur mori vesh lajmin nuk po e besonte. 

"Kujtime të ngatërruara. Kur na thanë se e kishin gjetur, nuk doja ta pranoja që ishte e vërtetë. I thashë Flamurit: ‘Ndoshta gabohen.’ Nuk ishte. Herën e fundit që folëm ishte më 25 mars. Po planifikonim fundjavën tonë në Terni së bashku. Orarin e trenit, takimin për te parukria dhe pastaj pazarin e pasdites, si nënë e bijë. I kisha blerë një pulovër disa ditë më parë, e kishim zgjedhur së bashku në telefon. Është ende në sirtarin e saj. Nuk doja ta jepja. Gjithçka mbeti ashtu siç ishte në dhomën e saj: dollapët, krevati, fotot, lodrat prej pelushi. Gjithçka ishte ashtu siç e la më 15 mars, ditën e fundit që fjeti atje. Ajo ishte hera e fundit që e pamë gjallë. Hera e fundit që munda ta përqafoja”, ka rrëfyer ajo mes lotësh.

Gezime Sula reagoi ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se e ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma.

“Ajo nuk është nënë. Nuk mund ta quash dikë të tillë nënë. Nuk ka falje, kurrë. As për të dhe as për të birin. Ata ecën mbi gjakun e vajzës sime, gjakun e gjakut tim. E pastruan dhe e hodhën tutje, njësoj siç e hodhën atë në shkurre. Sikur të ishte një objekt. Nuk uroj që askush të shohë një vajzë të katandiset në ato kushte”, tha ajo.

Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares po vazhdon dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.

“Do të vazhdojmë të jemi aty. Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të mos kujtohet si ‘vajza e valixhes’, por për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.

Çfarë ndodhi një natë para vrasjes?

Në dëshminë e saj, e ëma e autorit të ngjarjes tha se një natë para se të ndodhte ngjarja viktima dhe djali i saj kishin debatuar me njëri-tjetrin. Më pas situata kishte agravuar dhe nga dhoma ishin dëgjuar të bërtitura. Në këtë moment, ajo kishte hyrë brenda dhomës ku ndodhej viktima dhe autori dhe kishte parë vendin në gjak. I biri i kishte kërkuar valixhe dhe peceta për të fshirë sasinë e gjakut.

"Një natë para vrasjes Marku më shkroi një mesazh në të cilin më thoshte 'mos hyni në dhomë, është e vetmja gjë që të kërkoj, duhet të përqendrohem'. Më duhej të hiqja rrobat e varura nga dritarja e dhomës së tij të gjumit, por Marku më tha se do të kujdesej për të. Të nesërmen në mëngjes kur u zgjova rreth orës 9 ai erdhi në kuzhinë dhe më përqafoi. Pastaj përgatiti kafe me dy filxhanë, duke thënë se Ilaria ishte me të. I dëgjova ata duke folur me zë të lartë nga dhoma, duke debatuar. Kështu që shkova të trokasja në derë, isha i shqetësuar. Marku më tha: 'Mami, ne thjesht po flasim'. Menjëherë pasi dëgjova Ilarien në dhomë duke bërtitur dhe duke thënë 'tani çfarë doni të bëni'. U përpoqa të hyja, por ai më tha dy herë 'mami, prit'.

Mbaj mend që pashë shumë gjak në dysheme, rreth kokës së Ilarisë. Marku më çoi në dhomën time dhe më pyeti 'mami, a kemi valixhe?'. Pastaj më tha të shkoja të blija qese dhe detergjent. Ai përdori peceta për të fshirë gjakun dhe unë i dhashë rroba të vjetra. I thashë 'thjesht hiq të madhin'", tha ajo.

Mediat italiane shkruajnë se reagimi i prindërve të Ilarisë, ishte i fortë. Ata thanë se nëse e ëma e autorit të krimit do të kishte ndërhyrë në momentin që ka dëgjuar të bërtiturat, mbase Ilaria do të kishte shpëtuar. Ata thanë se ardhja e tyre në seancat gjyqësore është gjithmonë një plagë e hapur.

"Pse kur dëgjoi Ilarien duke bërtitur nga dhoma e Markut nuk ndërhyri? Pse kur djali i saj hapi derën dhe ajo pa trupin e Ilarias nuk thirri policinë? Ndoshta ajo ishte ende gjallë dhe mund të ishte shpëtuar. Përkundrazi, ai nuk e ndaloi. Ardhja këtu në sallën e gjyqit është gjithmonë një plagë e hapur për ne. Ne nuk e kemi parë Ilarien për një vit, nuk ka justifikime për një fakt të tillë", thanë Flamur dhe Gezime Sula, prindër të Ilaria Sulës, në seancën dëgjimore në sallën e gjyqit të Rebibbia në Romë, për vrasjen e të resë.

22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula, e cila ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit në Romë, u gjet e vrarë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Trupi i saj ishte futur në një valixhe që u gjet e hedhur në humnerë. Në vendngjarje shkuan hetuesit e skuadrës kriminale së bashku me zjarrfikësit për të marrë trupin e së resë.

E reja kishte pasur së fundmi një lidhje me 23-vjeçarin filipinas Mark Samson, i cili është arrestuar nga autoritetet dhe ka pranuar edhe vrasjen. Ilaria studionte Statistikë në universitetin “La Sapienza”. Përveç familjarëve të saj, të cilët kishin ngritur alarmin në rrjetet sociale, edhe shoqe e kolegë ishin mobilizuar për ta gjetur duke publikuar fotografi të shumta të saj.

Ish i dashuri u arrestua dhe rrëfeu vrasjen gjatë një marrjeje të gjatë në pyetje. Ai e goditi Ilaria-n disa herë me thikë në apartamentin në Via Homs, përpara se ta mbyllte në një valixhe dhe të përpiqej të zhdukte trupin. Ndaj tij rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje dhe fshehje të kufomës. I riu me origjinë filipinese, për të zhdukur gjurmë, vazhdoi që të përdorte celularin e studentes, duke iu përgjigjur mesazheve dhe duke postuar në rrjete sociale edhe pas vdekjes së të resë.