NAFTA 105 $, TRUMP KËRKON “NDIHMË”! Lufta hyn në javën e tretë, tronditen tregjet globale të energjisë

Çmimet e naftës janë rritur mbi 105 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2022. Rritja vjen ndërsa lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e tretë dhe ka bllokuar qarkullimin e cisternave në Ngushticën e Hormuzit. Situata po rrit shqetësimet për furnizimin global me energji dhe për një valë të re rritjesh çmimesh në botë.

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar një tjetër rritje të fortë, duke kaluar 105 dollarë për fuçi, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e tretë.

Nafta Brent, referenca kryesore globale, u rrit në rreth 106 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane kaloi 101 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga viti 2022.

Rritja lidhet drejtpërdrejt me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës kalon rreth 20 % e furnizimit global me naftë.

Pas nisjes së luftës, cisternat e naftës janë penguar të kalojnë në këtë ngushticë strategjike, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar edhe më tej pas vendosjes së minave detare dhe sulmeve ndaj anijeve.

Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje vendeve të tjera të bashkëpunojnë për rihapjen e korridorit detar dhe rikthimin e qarkullimit të tankerëve të naftës.

Administrata amerikane ka paralajmëruar se mund të dërgojë forca detare për të eskortuar cisternat, megjithatë zyrtarët pranojnë se mund të duhen disa javë për të organizuar një operacion të tillë.

Ndërkohë, për të frenuar rritjen e çmimeve, Shtetet e Bashkuara kanë nisur disa masa për rritjen e prodhimit të naftës, përfshirë miratimin e projekteve të reja në Gjirin e Meksikës dhe rifillimin e disa platformave të naftës në Kaliforni.

Edhe vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë kanë rënë dakord të hedhin në treg 400 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente, masa më e madhe e koordinuar ndonjëherë nga kjo organizatë.

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit mund të ndikojë jo vetëm në energji, por edhe në çmimet e ushqimeve, pasi përmes këtij korridori transportohen plehra kimike dhe produkte ushqimore që përdoren në shumë vende të botës.