KANADAJA KËRKON ALEATË! Kryeministri Carney ka zhvilluar një sërë takimesh në Europë
Kryeministri kanadez Mark Carney vizitoi të hënën Londrën, nga ku diskutoi me kryeministrin Keir Starmer për Lindjen e Mesme dhe sfidat globale. Në një tur për të forcuar bashkëpunimin me Europën ai mori pjesë edhe në Samitin Kanada-Nordik në Oslo, duke mbështetur Danimarkën dhe Grenlandën.
Në një përpjekje për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, ruajtur stabilitetin rajonal dhe menaxhuar sfidat globale Kryeministri i Kanadasë, ka zhvilluar një sërë takimesh në Europë.
Mark Carney, vizitoi të hënën Londrën. Aty u prit nga kryeministri britanik Keir Starmer në Doëning Street dhe diskutuan mbi sfidat globale që janë intensifikuar gjatë vitit të fundit.
Takimi u përqendrua kryesisht tek situata në Lindjen e Mesme, duke dënuar sulmet e Iranit me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike, dhe duke shprehur shqetësim për pasojat mbi civilët, rrezikun e përhapjes së konfliktit në rajon dhe efektet ekonomike globale.
Kanadaja, sipas Komisionerit të Lartë Bill Blair, mbështet përpjekjet për të parandaluar që Irani të përftojë armë bërthamore, por nuk po përfshihet drejtpërdrejt në konflikt ndërsa Britania po konsideron dërgimin e njësive detare për të siguruar kalimin e lirë në Kanalin e Hormuzit.
Ai shtoi se kishte diskutuar këtë plan edhe me presidentin Donald Trump.
Carney do të takohet edhe me Mbretin Charles para nisjes për pushime, duke qëndruar në kontakt të ngushtë me stafin për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Të dielën Carney mori gjithashtu pjesë në Samitin Kanada-Nordik në Oslo, ku së bashku me liderët e Norvegjisë, Suedisë, Danimarkës, Finlandës dhe Islandës shprehën mbështetje të plotë për Danimarkën dhe Grenlandën në të drejtën për vetëvendosje dhe ruajtjen e sovranitetit.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi presionin e papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump për të kontrolluar Grenlandën dhe falënderoi partnerët nordikë dhe ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre.
Carney ripërsëriti qëndrimin e Kanadasë për të mbrojtur “principet e sovranitetit dhe integritetit territorial” dhe nënvizoi se vendimi për të ardhmen e këtyre territoreve duhet të vendoset nga vetë popujt e tyre, me mbështetjen e Kanadasë, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë.

