AKSIDENT TRAGJIK NË ITALI/ Dy viktima dhe tetë të pl*gosur pas përplasjes "kokë më kokë" të katër makinave

Një aksident i rëndë rrugor ndodhi të dielën në Caravaggio, Itali, ku u përfshinë katër automjete. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 në rrugën provinciale 185 “Rivoltana”, pranë Mozzanica dhe një restoranti lokal.

Hetuesit e Policisë Rrugore të Treviglio dyshojnë se aksidenti u shkaktua nga një makinë Mercedes C180 e drejtuar nga një 29-vjeçare shqiptare nga Calvenzano, e cila tentoi të parakalonte një Volkswagen Sharan me pesë persona.

Mjeti u përplas me një Jeep dhe më pas me një Citroen C5 që vinte nga drejtimi i kundërt, ku ndodhej një familje me pesë anëtarë dhe një qen.

Nga përplasja, humbën jetën drejtuesi i Citroen-it, 38-vjeçari Fabio Saladdino, dhe vjehrra e tij 73-vjeçare, Adele Villa.

Tetë të tjerë u plagosën, përfshirë dy vajzat e familjes, të cilat shpëtuan pa lëndime serioze. Të plagosurit u transportuan me helikopter në spitalet përkatëse.

Zjarrfikësit u detyruan të prisnin karrocerinë e automjeteve për të nxjerrë viktimat. Pamjet nga aksidenti janë sekuestruar nga policia për hetime të mëtejshme.

Hetimet për dinamikën e saktë të aksidentit vazhdojnë.