Muzg te Liqeni Artificial
Parku i liqenit të Tiranës mbetet një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët, duke ofruar një peizazh magjepsës në çdo stinë të vitit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga muzgu në Liqenin Artificial të Tiranës.
Investimet e bashkisë Tiranë në infrastrukturën rrugore, në ndërtimin e parqeve për fëmijë, shtimi i pemëve, sistemimi i koshave të mbeturinave, këndet sportive, lulishte dhe ndriçimi e kanë bërë parkun pikë referimi për pasditet shlodhëse apo ditët e pushimit.
Parku i madh i Liqenit përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e Liqenit Artificial, që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreskë.
Parku i madh i Liqenit filloi të ndërtohet në vitet ’50. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë 400 m e gjatë e cila i pengon ujërat të vërshojnë drejt Tiranës.
Në vitin 1957-1958 filloi mbjellja e bimësisë dekorative, si dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut.

