Gënjeshtra me 220 mijë dollarë/ TË PAVËRTETAT e raportit të lobimit për Erion Veliajn

Një tjetër raport është publikuar nga studioja lobiste e Erion Veliajt, e cila është paguar 220 mijë dollarë për të publikuar raporte plot të pavërteta dhe me qëllim mbrojtjen e nxjerrjen nga burgu të kryebashkiakut të Tiranës mbi të cilin rëndojnë 13 akuza të rënda penale.

Ky është raporti i radhës i lobistëve, të cilët edhe më parë, përpara vendimeve të gjykatave, kanë kryer publikime raportesh, pasi fundja kjo është edhe detyra e tyre, të marrin qindra mijëra dollarë për raporte, të cilat kanë gënjeshtra dhe kërkojnë t’i shërbejnë një të paraburgosuri që mbahet në qeli sepse prishte provat dhe intimidonte drejtësinë e dëshmitarët.

Si qëndron e vërteta, çfarë shkruan raporti dhe cilat janë faktet që rrëzojnë këto lobime me pagesë të kompanisë, por edhe propagandës mediatike të paguar nga vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj?

Sipas raportit, një nga shkeljet më flagrante është bllokimi i aksesit të Veliajt në dosjen hetimore (evidence file), e cila përmban rreth 60,000 faqe. Për muaj të tërë, SPAK-u dhe Gjykata e Seancës Paraprake kanë penguar mbrojtjen të njihet me provat, duke e detyruar kryebashkiakun të përballet me procesin pa mjetet bazë për një mbrojtje efektive.

Kjo është krejtësisht e pavërtetë, pasi avokatët e Veliajt i kanë marrë materialet me procesverbal, me firmë. Veliaj i kërkonte të printuara dhe këtë kosto t’ua faturonte shqiptarëve, kur paguante 220 mijë dollarë lobim dhe për një vlerë qesharake mund t’ia printonin studiot e tij mbrojtëse.

Fakti është që avokatët kanë theksuar në seancat gjyqësore se janë njohur me aktet. SPAK-u në asnjë rast nuk ka thënë se Veliaj duhet të qëndrojë në burg për shkak të avokatëve të huaj, kjo është një tjetër gënjeshtër e madhe. Në gjykatë prokurorët kanë theksuar se nëpërmjet lobimit janë thënë gjëra të paqena dhe është krijuar klimë intimiduese te dëshmitarët. Këto i gjen lehtësisht dhe t’i tregon çdo avokat në proces.

Ndonëse Gjykata e Apelit së fundmi urdhëroi dorëzimin e materialeve dhe shtyu seancën për më 24 mars 2026, raporti vë në dyshim nëse z. Veliaj mund të shqyrtojë këtë vëllim masiv dokumentesh brenda vetëm dy javësh. Gjithashtu, theksohet se kufizimet e rrepta në burgun e Durrësit kanë bërë të pamundur komunikimin konfidencial dhe efektiv mes tij dhe avokatit të caktuar kryesisht (state-appointed counsel).

Vëllimi i dokumenteve prej 7 muajsh u është dhënë avokatëve, të cilët janë zgjedhur nga Veliaj dhe më pas janë larguar me teknikalitete të ndryshme. Avokatja kryesisht është caktuar ashtu siç e përcakton ligji.

Raporti ngre akuza se SPAK-u po përdor paraburgimin (pretrial detention) si një formë reprezaljeje ndaj ushtrimit të të drejtave demokratike. Gjatë seancave gjyqësore, prokurorët kanë kundërshtuar lirimin e z. Veliaj duke argumentuar se peticioni (petitioning) dhe aktivitetet e mbrojtjes përmes këshilltarëve ligjorë në SHBA synojnë “të delegjitimojnë” organet e drejtësisë.

Erion Veliaj është në paraburgim nga vendimet e të gjitha niveleve të gjykatave, jo sepse do SPAK-u. E vërteta është se Veliaj është kapur duke prishur provat, duke sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët, duke intimiduar drejtësinë.

Rasti ka nxitur shqetësim të gjerë ndërkombëtar.

Raporti citon: Përfundimi Kasowitz LLP e cilëson çështjen e Erion Veliajt si një test vendimtar (bellwether) për përkushtimin e Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës dhe aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Raporti paralajmëron se metodat e SPAK-ut rrezikojnë të zhbëjnë investimet shumëvjeçare të SHBA-së dhe partnerëve të tjerë në forcimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Nuk ka asnjë fakt se ka shqetësim ndërkombëtar për Erion Veliajn, vetëm shkrime me porosi dhe të paguara, përfshi këtu edhe lobimin në SHBA ku e njëjta studio ka gënjyer në një raport në lidhje me pretendimet se prokurori Ols Dado ka kërkuar leje ndërtimi për një shtesë, e cila i është refuzuar. Kjo akuzë e pavërtetë nuk është provuar kurrë, duke shkuar edhe me qëndrime se prokurori është aktivist i PD-së së Sali Berishës.

I gjithë ky raport, sërish me qëndrime të cekëta dhe të pavërteta plot, vjen menjëherë pas lëvizjeve të kreut të Gjykatës të Lartë, Sokol Sadushi, për të ndryshuar vendimin e Kolegjit të Bashkuar të vitit 2011 dhe përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në ditët në vijim pritet të ketë plot raporte dhe shkrime apo qëndrime kundër SPAK-ut dhe pro Veliajt, të cilat vijnë nga pagesat e lobimet me qëllim ndikimin mbi gjykatat.

Kompania lobuese Kasowitz LLP mirë do të ishte të merrte dhe t’i lexonte procesverbalet e gjykatës se me të dhëna që s’dihet nga i merr po del zbuluar shpeshherë dhe po dëmton reputacionin e saj me raporte ku ka shtrembërime, të pavërteta dhe mashtrime që janë zbuluar jo vetëm në përgjime./CNA