EMRI/ Mashtroi me dekriminalizimin, Prokuroria çon në gjyq anëtarin e Këshillit Bashkiak Lushnje

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq anëtarin e Këshillit Bashkiak të Lushnjes, Armelin Meta. Ai akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Sipas Prokurorisë, ai ka deklaruar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit të depozituar më 23 mars 2023 në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, duke shënuar se nuk ka qenë i ndaluar apo arrestuar dhe se ndaj tij nuk ishte caktuar masë sigurie.

Sipas organit të akuzës, nga hetimet rezultoi se në vitin 2006 ai është ndaluar nga Prokuroria e Korçës për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”, ku ka qëndruar rreth 5 muaj në paraburgim.

“Nga hetimet mbi procedimin penal nr.419, të regjistruar mbi bazën e materialit dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 01.04.2025, u provua se, i pandehuri Armelin Meta, me detyrë anëtar i Këshillit Bashkiak Lushnjë, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i vulave, stamapve ose i formularëve”, parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal, pasi ai ka paraqitur të dhëna jo të sakta (të rreme), që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe nuk i përgjigjen realitetit në Formularin e Vetëdeklarimit “Për zbatimin e ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, depozituar në Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve më datë 23.03.2023.

Konkretisht, në formularin e lartëpërmendur, plotësuar dhe nënshkruar nga i pandehuri, rezulton se në faqen 4, në rubrikën me numër ˝4” ku pyetet: ˝A keni qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese, për kryerjen e një vepre penale?”, shtetasi Armelin Meta ka shënuar ˝Jo”. Gjithashtu , në rubrikën me numër ˝5” ku pyetet: ˝A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo? ”, shtetasi Armelin Meta ka shënuar ˝Jo”.

Ndërkohë gjatë hetimit rezulton e provuar e kundërta, pra, që shtetasi Armelin Meta ka qenë ndaluar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit ˝Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ku ai ka qëndruar në periudhë paraburgimi për një kohë prej 5 muajsh. Konkretisht, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë më datë 15.02.2006 ka ndaluar shtetasin Armelin Meta, dyshuar për kryerjen e veprës penale ˝Shfrytëzim prostitucioni”, në rrethana rënduese, parashikuar nga neni 114/a/5 i K.Penal. Ndalim i cili është vleftësuar i ligjshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr. 42 Regj., datë 19.02.2006, duke caktuar ndaj shtetasit Armelin Meta masën e sigurimit ˝Arrest në burg” pa afat, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.